Rudi Vata: Vllazni, mendo për Kamzën!

Vllaznia mendoj se duhet të përqendrohet tek fundjava ndaj Kamzës për kampionat, por nëse tifozët shkodranë do ta mbështesin skuadrën, kuqeblutë mund ta përmbysin disavantazhin 2-0, shprehet ish futbollisti dhe ish trajneri i kuqebluve

Gaspër Marku

Vllazninë dhe Tiranën, Rudi Vata i konsideron si nana dhe baba të futbollit shqiptar, si dy skuadra më të vjetrat e historisë në vendin tonë, por që në këtë sfidë përballen si të sëmura. Dhe, në sinkron me këtë, ai logjikon se pa këto dy skuadra edhe futbolli shqiptar është i sëmurë. Duke folur për sfidën në fjalë, ish-futbollisti që ka luajtur me të dyja skuadrat e konsideron Tiranën si më favorite për të kalimin e turit. Ndërkohë, që për Vllazninë, faktor në këtë drejtim mendon se është tifozëria, e cila nëse vendos të jetë në shkallët e stadiumit Loro Boriçi për ta mbështetur ashtu si në ndeshjen e fundit të kampionatit të kaluar, mund ta përmbysë disavantazhin për tu kualifikuar. Gjithsesi, në planin e përgjithshëm, ai është i mendimit se Vllaznia duhet të përqendrohet kryesisht në kampionat për të synuar marrjen e tre pikëve shumë të domosdoshme ndaj Kamzës në fundjavë.
Profesor, në Loro Boriçi rikthehet sërish klasikja e futbollit shqiptar, në një sfidë ku njëra do të eliminohet nga kompeticioni i Kupës së Shqipërisë.
Për mendimin tim, Vllaznia dhe Tirana janë nana dhe baba e futbollit shqiptar. Duke qenë të tillë duhet që këto skuadra normalisht ti shikojmë aty ku historikisht kanë qenë dhe i kanë dhënë topin futbollit shqiptar. Dhe, gjithë skuadrat e tjera dhe Shqipëria është kënaqur duke i parë dhe duke mësuar prej tyre, duke nxjerrë mësime dhe duke u rritur vetë si skuadër. Por, në këtë moment që flasim, të dyja këto skuadra, edhe Vllaznia edhe Tirana, si “nanë dhe babë”, janë që të dyja të sëmura, janë me probleme. Dhe, duke qenë të sëmurë, nana dhe baba, për mendimin tim është i sëmurë edhe futbolli shqiptar. Sepse është e sëmurë e tanë familja e futbollit, pa këto dy skuadra pra. Për ti dhënë tonin futbollit shqiptar, normalisht nuk është i këndshëm, nuk e ka atë shijen që ka pasur, atë atmosferën e bukur dhe interesante. Por, gjithsesi janë dy skuadra që tani të paktën luftojnë vetëm për një arsye. Tirana, normalisht dhe sigurisht është që ka rënë në greminë, dhe po mundohet të dalë nga gremina. Vllaznia është afër greminës, tani luftojnë për një qëllim, për kupën e Shqipërisë.
-Sipas jush, kush e kalon turin?
Tirana, në aspektin psikologjik dhe atë personal ndodhet në një situatë komode, sepse është e para në klasifikim. Vjen nga një fitore me një skuadër si Iliria me rezultatin 3-0, Vllaznia vjen pas dy humbjeve aspak të mira që normalisht kanë krijuar një atmosferë dhe një situatë jo fort stabil dhe të pakëndshme në Shkodër. Mendoj që Tirana është favorite, sepse ka një avantazh prej dy golave. Dhe duke qenë në këtë avantazh mendoj që ato do të luajnë me kujdes dhe do të kenë mundësinë që të gjejnë momentin të godasin Vllazninë në atë moment kur Vllaznia mund të humbë përqendrimin dhe mund ti krijojnë atë shans Tiranës për të shënuar një gol, i cili do ta bënte ndeshjen e mbaruar.
-Po, për Vllazninë, sa mendoni se ka shanse për kualifikim?
Çdo gjë është e mundur, Vllaznia për t’u kualifikuar dhe të shënojë tre gola, në radhë të parë i duhet një stadium me ato tifozë të shumtë, sepse motivi kryesor i futbollit shkodran dhe i Vllaznisë, janë tifozët. Tifozët shkodranë janë shumë të ndjeshëm, janë tifozë krenarë. Janë tifozë që janë mësuar ta shikojnë Vllazninë në majën e futbollit. Sigurisht, që ato nuk shkojnë në stadium, sepse nuk ndjehen komod me pozicionin që ka Vllaznia, por gjithsesi nëse këto tifozë do të jenë të shumtë në numër dhe do të mbështesin skuadrën nga minuta e parë deri në minutën e fundit, mundësitë janë, sepse edhe ekipi i Vllaznisë i ka kualitetet brenda pavarësisht se nuk është në pozicione të mira, por kualitetet i ka. Tifozët janë shumë të rëndësishëm. A do të ketë shumë tifozë në stadiumin Loro Boriçi për ndeshjen Vllaznia-Tirana është pikëpyetje. Nuk e di se sa të motivuar do të jenë tifozët dhe sa do ti bëjë zemra atyre për të ndjekur skuadrën në këtë të mërkurë.
-Vllaznia vjen me mungesa titullarësh, por në kampin kuqeblu ka optimizëm?
Sigurisht që optimizmi dhe dëshira e trajnerit është, sepse ai sapo ka marrë frenat e dorës, është i motivuar të bëjë diçka tek kjo skuadër, do që të sjellë ndryshim dhe po të arrijë të përmbysë këtë rezultat 2-0 për Tiranën, sigurisht që do të ishte një arritje e mirë. Dhe një arritje që do ti jepte skuadrës shumë optimizëm dhe do ta ndihmonte edhe në aspektin psikologjik që të përballojë pjesën tjetër të kampionatit dhe për të gjetur veten në një pozicion komod, duke shpëtuar nga rënia në Kategorinë e Parë.
-Në fundjavë Kamza
Për mendimin tim, Vllaznia duhet ti bëjë llogaritë shumë më mirë për kampionatin, sigurisht që edhe Kupa ka vlerat e veta. Normalisht që edhe Tirana vjet ra nga kategoria dhe fitoi Kupën e Shqipërisë. Nuk do të kisha uruar, unë do të kisha preferua më mirë që Vllaznia të qëndrojë në Ligën Superiore dhe mos të jetë fituese e Kupës së Shqipërisë, dhe prandaj llogaritë janë me limite. Trajneri ka në dispozicion disa futbollistë të mirë që në fakt nuk janë në formën e tyre më të mirë, disa futbollistë me emër që për mendimin tim nuk e kanë justifikuar emrin që kanë, dhe është një situatë tepër delikate. Llogaritë duhet të bëhen shumë mirë. Dhe nëse llogaritë bëhen shumë mirë, atëherë Vllaznia ka me ja dalë. Gjithsesi presioni ekziston, dhe kur punon për një klub si Vllaznia apo Tirana, presioni ka për të qenë prezent gjithmonë dhe duhet të jesh i mësuar me presione të tilla për të mbijetuar.
-Si specialist futbolli, por edhe ski shkodran besoni tek mbijetesa e Vllaznisë?
Unë në radhë të parë do të dëshiroja që kjo Superiore të kishte më tepër skuadra për mendimin tim. Sepse më duket disi e cunguar me dhjetë skuadra. Nuk e di llogaritë se kush i bën edhe në Federatën Shqiptare të Futbollit, por gjithsesi nuk është e këndshme për Superioren që këto skuadrat elitare të jenë skuadra, të cilat janë viktima çdo vit. Shpresoj dhe uroj që për të mirën e futbollit shqiptar, për të mirën e Shkodrës, atmosferës sportive në këtë qytet, ata futbollistë të kuptojnë përgjegjësitë që kanë dhe të marrin përgjegjësinë e duhur dhe të angazhohen maksimalisht. Sigurisht, që ndeshja me Kamzën është një ndeshje me tre pikë të plotë, është një Kamzë, e cila vjen nga një humbje në javën e fundit në shtëpi me Luftëtarin, një luftëtar që fiton në Kamzë, Kamza vjen në Shkodër, dhe e bukura e kampionatit është kur surprizat ndodhin. Por, unë shpresoj që Vllaznia ta fitojë këtë ndeshje dhe të marrin atë tre pikësh, sepse e kanë shumë të nevojshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *