Ruci: Kriza duhet pranuar, Flamurtari fiton kupën!

0

 

Ish-sulmuesi i njohur vlonjat: Lojtarët duhet të tregojnë më shumë përgjegjësi. Nëse mundin Kukësin, kemi shanse për vendin e dytë. Gjykimi në Shqipëri ka hyrë në rrugë pa kthim

Elton Nika

Flamurtari ndodhet në krizë rezultatesh, por ndeshja me Kukësin shihet si momenti që mund të ndryshojë  gjithçka. Është një ndeshje, ku pritet kthesa nga ana e vlonjatëve, të cilët kanë arritur të rikuperojnë disa lojtarë të rëndësishëm, që nga portieri Nurkoviç, për të vazhduar me sulmuesin Tunkara dhe mesfushorin Muarem. Ky i fundit në fakt mbetet ende në dyshim për aktivizimin apo jo si titullar në ndeshjen e së shtunës.

RUCI –  Ish-sulmuesi i njohur i Flamurtarit, aktualisht pjesë e klubit vlonjat, Vasil Ruci, gjykon se situata problematike e javëve të fundit do të kalohet me fitoren me Kukësin, ndërsa objektiv kryesor shikon Kupën e Shqipërisë. “Flamurtari është në krizë dhe nuk duhet mohuar, por nuk dua të hyj në detaje, apo të ndalem gjerësisht si erdhi kjo situatë. Mendoj se ky moment duhet kaluar në ndeshjen e radhës me Kukësin. Lojtarët  duhet të tregohen, apo të ishin treguar më të përgjegjshëm për të dalë nga kjo krizë, që realisht për Flamurtarin  zgjat prej disa ndeshjesh. Mendoj se ndeshja me Kukësin është një pikë kyçe e kampionatit dhe besoj se kjo skuadër do ta kalojë me sukses. Natyrisht, krizë gjatë një kampionati kalojnë të gjitha skuadrat, por e shoh ndeshjen e të shtunës si shumë të rëndësishme.  Sepse skuadra dhe lojtarët do të fitonin besimin e humbur me një fitore të mundshme. Nëse do të tregojnë   vlerat e tyre ndaj skuadrës kampione në fuqi dhe që për momentin është në vend të dytë, gjithçka merr kthesë. Duhet parë më pas çdo gjë sipas radhës. E ritheksoj se ndaj Kukësit nuk do të ishte thjesht një fitore, do të vlente shumë më shumë se kaq”, – është shprehur fillimisht Ruci.

BLERJET E DIMRIT  – “Nga Tunkara dhe Muarem pres më shumë, sepse janë lojtarë nga më cilësorët, por fatkeqësisht kanë pasur probleme me gjendjen fizike dhe nuk kanë qenë në shërbim të plotë të skuadrës. Po, është folur për gabime në merkato, por gabime të tilla  bëjnë edhe skuadrat e mëdha. Ka bërë gabime të tilla edhe Interi apo ndonjë skuadër tjetër. Mendoj se nuk ka gabuar Flamurtari, por thjesht ka qenë fati i keq, që ka ardhur nga dëmtimet dhe mungesat”.

KUPA E SHQIPËRISË – “E shoh si objektivin kryesor të Flamurtarit  në këtë moment, por nëse fitojmë me Kukësin, kemi mundësinë të shkojmë të dytët edhe në kampionat. Gjithsesi, kupa mbetet objektivi kryesor dhe Flamurtari i ka të gjitha mundësitë të jetë aty ku duhet, pra të shkojë drejt finales dhe ta fitojë këtë trofe. Është rruga më e shkurtër për të shkuar në Europa League. Për gjykimin mos më pyesni fare.  Kam thënë se gjykimi në Shqipëri ka hyrë në  batak dhe nuk del dot më. Duhet rifreskuar  gjithçka. Kanë hyrë në një rrugë të keqe, që edhe po të duan ata, nuk do të dalin dot më”, – ka përfunduar i mirënjohuri Vasil Ruci.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.