Ruben Akua prezantohet te Dunajska Streda

E jashtëzakonshme, por edhe absurde në të njëjtën kohë! Ruben Akua ka firmosur për katër vite në Sllovaki me skuadrën DAC Dunajska Streda, ndërkohë që klubi Tirana nuk di asgjë, ose e çon në Austri. Njoftimi se lojtari ka firmosur me ekipin e Lask Linzit është i pavërtetë, ose ka gjëra që fshihen nga klubi austriak. 20-vjeçari ka firmosur një kontratë 4-vjeçare me skuadrën sllovake. Lajmi është bërë zyrtar nga klubi sllovak në faqen zyrtare të tij. Madje futbollisti është prezantuar me fanellën e tij të re.

Sllovakët nuk japin shifrat e transferimit nga Tirana te skuadra e tyre, por një gjë është e vërtetë: Lojtari ganez që luajti këtë sezon me Tiranën ka kaluar në një skuadër të konsoliduar të Superligës sllovake. Për ganezin fjalët janë mëse të mira.

Sipas drejtorit sportiv të klubit sllovak: “Rubeni është një mesfushor shumë i zoti nga ana defensive dhe pa problem mund të luajë edhe në rolin e mesfushorit. E kemi ndjekur për një kohë të gjatë. Shpresojmë dhe besojmë që ai mund të na japë më shumë ekuilibra dhe forcë në mesfushë për një kohë të gjatë. Pas ikjes së Koçsis kishim nevojë për një lojtar të mirë në këtë pozicion, pasi mendojmë se mund të luajmë një kampionat mes më të mirëve”, u shpreh Jan Van Daele, Drejtori Sportiv i DAC-it. Mesfushori ganez Reuben Akua është lojtari i fundit që largohet nga Tirana, diçka që pritej prej kohësh, pasi ishte në treg dhe kishte oferta.

Në këtë mënyrë, duhet kuptuar çfarë ka ndodhur, sepse Tirana e shiti lojtarin te Lask Linzi për 250 mijë euro. Talenti bardheblu u tha se shkoi në Austri, pasi është arritur marrëveshja me LASK, klub i Bundesligës austriake. Sezoni i shkuar nuk ishte perfekt për Akuanë, që vuajti ambientimin dhe sezonin e zi të Tiranës, por në ndeshjet kundër Makabit u paraqit shumë mirë dhe tërhoqi vëmendjen e shumë klubeve. Mesfushori Akua më parë provoi të luante në Belgjikë, por nuk ia doli dot dhe ka mjaftuar një sezon në Shqipëri për të ardhur për të oferta të rëndësishme. Sapo ka përfunduar ndeshja e parë me Makabin e Tel Avivit në Izrael, për Akuanë ka ardhur menjëherë një ofertë që shkonte në 150 mijë euro. Në këtë shumë vërtiteshin edhe ofertat e tjera dhe mesfushorin e donin në Zvicër dhe Suedi. Tirana e ndau mendjen që ta shiste, edhe pse kishte ndonjë moment që u mendua të mbahej edhe një sezon. Synimi i presidenti Halili ishte që të përfitonte 200 mijë euro, por në fund ai e tejkaloi këtë objektiv edhe pse shifra e kalimit të lojtarit në Sllovaki nuk është bërë e ditur.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *