Rrumbullaku nuk kthehet, Kukësi pa mbrojtës të majtë

Jurgen Zela

Kukësi po bën shumë mirë në merkato deri më tani dhe ka një plan të detajuar për përgatitjet e skuadrës. Gjithsesi jo gjithçka mund të shkojë sipas planit, pasi trajneri Peter Pakult mund të përballet me një largim të pamenduar. “Sport Ekspres” mëson se mbrojtësi Simo Rrumbullaku mund të mosbashkohet më me ekipin. 26-vjeçari duket se kërkon një aventurë të re diku larg nga Shqipëria dhe ka vendosur që të mos vijë më te Kukësi. Drejtuesit e Kukësit mësohet se janë vënë në dijeni të këtij vendimi të lojtarit, megjithatë deri më tani nuk kanë reaguar për të saktësuar pretendimet e tyre. Rrumbullaku është afruar në skuadër 1 sezon e gjysmë më parë, duke luajtur 43 ndeshje me kuksianët, 40 prej të cilave nga minuta e parë. Gjatë kësaj periudhe lojtari ka realizuar dhe një gol. Një situatë jo e mirë për Kukësin, duke ditur që alternativat në krahun e majtë të mbrojtjes i ka shumë të paktë, kjo pasi edhe Eni Imami e ka mbyllur zyrtarisht aventurën si “kuksian” pak ditë më parë. Verilindorëve u duhet që të gjejnë sa më parë një alternativë tjetër për të marrë çdo masë nëse Rrumbullak nuk ndryshon mendim dhe të mos bashkohet me skuadrën. Pak ditë më parë gazeta raportoi se Musta ishte shumë pranë kuksianëve, megjithatë në fund negociatat dështuan dhe elbasanasi rinovoi në Vlorë.

PRECEDENTI

Edhe vitin e shkuar një situatë e ngjashme ka ndodhur me Albi Allën. Qendërmbrojtësi ashtu si Rrumbullaku nuk pranoi të rikthehej për Kupat e Europës, pas firmosur një kontratë të re. vetëm pas Kupave të Europës Alla nënshkroi një kontratë të re. Diçka e tillë duket se po përsëritet dhe këtë sezon me Rrumbullakun, i cili duket larg Kukësit, së paku për momentin. Mbetet për t’u parë se si do të veprojë Kukësi, nëse do të gjejë gjuhën e mirëkuptimit me lojtarin apo do të nisë një “luftë” për rikthimin e lojtarit për Kupat e Europës. Pakult duhet t’i bëjë aktualisht llogaritë vetëm me Peposhin në atë pozicion, pasi lojtarë tjetër nuk ka. Duket se kemi të bëjmë me të njëjtin film dhe me të njëjtën histori, ndryshon vetëm sezoni.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *