Rrumbullaku: Futbolli dhe konkurrenca shkojnë bashkë, synojmë të gjitha trofetë

0

Mbrojtësi dhe një nga lojtarët më të rëndësishëm të Kukësit, Simo Rrumbullaku, po kalon një moment shumë të mirë dhe është një titullar i padiskutueshëm në formacionin e trajnerit Armando Cungu. Kukësi synon të fitojë kampionatin dhe Kupën e Shqipërisë dhe lojtarë si Rrumbullaku janë një forcë e shtuar e verilindorëve.

Konkurrenca në ekip është shtuar te skuadra e Kukësit, por kjo gjë sipas Rrumbullakut i bën mirë ekipit dhe vetëm me rivalitet, arrihet te rezultatet e kërkuara. Në një intervistë për “sportekspres.com”, Rrumbullaku ka prekur disa tema: Rifillimin e sezonit, rivalitetin në skuadër, ardhjet e reja të merkatos dhe fokusi në ndeshjen kundër Apolonisë. Në fjalën e tij, Rrumbullaku tha:

Pas një faze përgatitore shumë të mirë, a është gati Rrumbullaku për rifillimin e sezonit?

“Në përgjithësi, si grup por edhe personalisht, jemi të kënaqur nga volumi i punës dhe nga rezultatet e fazës përgatitore në Turqi. Ndihemi mirë edhe të gatshëm për rifillimin e kampionatit. Do mundohemi nga ana jonë të bëjmë të pamundurën që të arrijmë aty ku duhet”.

Konkurrenca në ekip është shtuar me tri afrimet e reja, është një gjë pozitive kjo për ju, apo e shihni vendin tuaj të titullarit në rrezik?

“Futbolli dhe konkurrenca shkojnë bashkë në punën tonë. Është gjë e mirë të ketë ekipi konkurrencë, sepse të gjithë janë më seriozë te puna e tyre dhe më shumë të përqendruar tek ato gjëra që kërkon stafi. Vetëm kështu do të arrijmë te rezultatet dhe sukseset që synojmë”.

Keni qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm te Kukësi në gjysmën e parë të sezonit dhe mungesa juaj u ndie tepër kur ishit i dëmtuar. Do vazhdojë Rrumbullaku të jetë një nga lojtarët “flamur” në ekip?

“Personalisht, kam qenë afro tre muaj jashtë fushave dhe ishte pak e vështirë për mua. Gjithsesi, futbolli i ka këto situata te tilla, por nuk e mendoj fare këtë gjë, pasi e kam lënë pas dhe unë shikoj vetëm përpara. Edhe si natyrë, jam njeri pozitiv dhe gjithmonë i lë pas momentet negative. Me besim edhe me punë, do mundohem të arrij aty ku isha më përpara se të kisha dëmtimet dhe të shpërblej besimin që kanë treguar stafi dhe drejtuesit e klubit. 

Dihet se Kukësi synon medoemos titullin kampion, por ndeshja e parë në 2019-ën është në Kupë përballë Apolonisë. E synon Kukësi dhe Kupën?

“Kukësi çdo vit konkurron për sa më shumë trofe. Është mentaliteti i tillë dhe pritshmëritë e klubit dhe të tifozëve çdo vit është kampionati dhe Kupa. Prandaj bëjmë maksimumin te ndeshja me Apoloninë, të tregojmë vlerat në fushën e blertë dhe të fitojmë ndeshjen, pasi kjo është pjesa jonë. Të tilla sfida duan seriozitet dhe me përqendrimin maksimal, pasi në të kundërt, ke probleme. Në futboll, nuk ka kundërshtar të lehtë. Pas kësaj ndeshje, do fokusohemi edhe te takimet e kampionatit”,- u shpreh Rrumbullaku.

Intervistoi: VERONIK ISTREFAJ

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

http://sportekspres.com/wp-content/uploads/2019/02/fotoblinibilta.jpeg