Rrugët e Tiranës dhe dashuria për Hanoverin, rrëfehet Altin Lala

0

Altin Lala është një legjendë te Hanoveri, ndërkohë që një vlerësim për ish-mesfushorin ka ardhur edhe nga klubi i Frajburgut, duke e intervistuar ish-kapitenin e kombëtares shqiptare para ndeshjes që ata kanë me ish-klubin e shtatshkurtrit.  Në intervistë ata mundohen ta zbërthejnë dhe fillimisht flet për hapat e parë në futboll.

Gjithçka nisi rrugicave: “Është vërtetë, nisa të luaj futboll në rrugë. Kjo nuk i pëlqente babait tim, i cili më thoshte se duhet të mësoj në shkollë. Por unë mendoja vetëm për futbollin. Në Shqipëri është ngrohtë dhe ne luanim përjashta. Në moshën 11-vjeçare u bashkova me një klub”, tregon Lala, i cili me trupin e tij ka bërë që shumëkush të dyshojë mbi mundësinë që ai mund të bëhej një futbollist profesionist.

“Shpesh isha i nënvlerësuar për shkak se isha i shkurtër. Më pas erdhi një moment që i binda njerëzit me aftësitë e mia”, tregon ish-mesfushori, i cili në Gjermani mbërriti për të luajtur një ndeshje me Shqipërinë U16. Shumë lojtarë nuk u kthyen pas. “Ishte koha e ndryshimeve politike, por futbollistët shqiptarë nuk lejoheshin të largoheshin jashtë. Disa prej tyre përdorën ndeshjen në Ofenbah për të qëndruar në Gjermani”, shprehet Lala.

Karriera e tij nisi shkallë-shkallë dhe ai tregon se si ishte bërë tifozë me Hanoverin, klub ku sigurisht nuk ishte dëgjuar më parë për vendin tonë. “Është e vërtetë, atje mund të mos kishin dëgjuar për Shqipërinë. Ndoshta ju do të qeshni: në fillimet e mia në Gjermani, Hanover ’96 ishte një nga skuadrat e para që pashë në TV. Ishte viti 1992. Ishte finalja e Kupës kundër Gladbah, me një Jorg Sievers i tmerrshëm në portë, i cili dëshpëroi kundërshtarin pas gjuajtjes së penalltive”.

Ngjitja në Bundesligë në vitin 2002 ishte një moment i artë: “Ai ishte ndoshta viti im më i mirë në Hanover. Ralf Rangnik ishte trajneri ynë, luanim me katër lojtarë në mbrojtje dhe për kohën ishte diçka relativisht e re. Na u desh pak kohë të kuptonim sistemin, por më pas bëmë super ndeshje. Nuk ishte kurrë në mendjen time të luaja në një rol specifik. Isha luftëtar, kaq. Jepja maksimumin në fushë, ai ishte stili im, nuk luaja dot ndryshe. Kjo u pëlqente njerëzve? Po, madje mendoj se është bukur të shëtisësh në Hanover dhe të kuptosh që njerëzit të mbajnë mend”.

Lala nuk ndryshoi më ekip dhe ka një arsye: “Një kohë e gjatë aty, por gjithmonë jam ndjerë rehat. Më pëlqen të udhëtoj, por gjithashtu të kem një shtëpi. Kjo është arsyeja pse refuzova ofertat dhe qëndrova në Hanover. Shiriti i kapitenit? Ishte një nder i madh, sigurisht. Në fillim kisha rezerva, pasi kisha shumë respekt për atë detyrë. Pastaj fola me disa miq, të cilët më këshilluan ta pranoja. Besoj se kam mbetur i njëjti dhe kjo më ndihmoi”.

Në fund, i pyetur nëse e kishte ëndërruar që nj ditë do luante për Shqipërinë, Lala tregohet i sinqertë: “Kur isha fëmijë nuk e kisha menduar që një ditë do luaja për kombëtaren. Kam jetuar në Tiranë mes dy stadiumeve dhe kam parë shumë ndeshje futbolli, gjithashtu edhe të kombëtares. Kur isha në stadium si futbollist i kombëtares dhe pashë vendet prej nga vija, ishte një ndjesi e pabesueshme”.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.