“Rroca e kompenson”, Kukësi e mbyll zyrtarisht me mesfushorin

Kukësi ka bërë zyrtar një tjetër largim. Mesfushori Shafik Tigruxha nuk do të jetë pjesë e verilindorëve. Mesfushori nga Algjeria ishte titullar i rëndësishëm i skuadrës së Cungut, por një dëmtim i pësuar së fundmi ka bërë që palët të uleshin e të bisedonin për të ardhmen. Pas gjetjes së akordit klubi i Kukësit doli edhe me njoftim.

“Futboll Klub Kukësi njofton mbylljen e bashkëpunimit me Chafik Tigroudja. Mesfushori 27-vjeçar dhe drejtuesit e Klubit kanë vendosur të ndërpresin me mirëkuptim marrëveshjen mes tyre, duke i dhënë mundësi futbollistit të jetë lojtar i lirë . Mëngjerashi, i cili u bashkua me skuadrën tonë gjatë merkatos së verës, regjistroi 11 aktivizime në Kategorinë Superiore dhe Kupën e Shqipërisë. Klubi falënderon lojtarin për kontributin e dhënë me fanellën tonë dhe i uron njëkohësisht suksese në karrierë”, thuhet në njoftimin e Kukësit.

ÇFARË THA CUNGU – “Cilësitë e lojtarit nuk janë vënë kurrë në dyshim. Ka shumë potencial dhe ka qenë armë e fortë për ne. Ndihemi keq për situatën shëndetësore. Kishim bërë llogari me të, afatgjata. Në futboll ka edhe dëmtime, duhet të përshtatemi dhe të shohim përpara. Rroca e kompenson pak a shumë Shafik. Është në bisedime, kërkohet operim. Kam biseduar me të dhe ia kam dhënë idetë e mia. Do doja të bënte ndërhyrjen dhe të jetë gati në verë. Do humbte kontratën nëse do e shtynte. Unë personalisht do ia jepja një votë që të qëndrojë, pasi ka potencial”, u shpreh trajneri i Kukësit para ndeshjes me Laçin në konferencën e zakonshme për shtyp.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *