Rrezikon 1 vit larg fushave, Bakaj kalon me sukses operacionin dhe premton: Do rikthehem shumë shpejt

Elis Bakaj dukej se po rilindte në kampionatin që nuk njeh frikën e Koronavirusit, atë bjellorus. Por një dëmtim i ndërpreu lojtarit shqiptar formën e mirë që po kalonte. Ishte pikërisht një këputje e ligamentit anësor të gjurit në tentativë për të shënuar gol ajo që i erdhi si një rrufe në qiell të hapur në momentin kur po përjetonte një ecuri pozitive në karrierë, aq sa synonte edhe një herë fanellën e Kombëtares.

Bakaj i është nënshtuar ndërhyrjes kirurgjikale, të cilën e ka kaluar me sukses. Vetë futbollisti shqiptar bën me dije se operacioni shkoi mirë dhe se  nuk do të ndalet nga ky dëmtim. Megjithatë lëndime të këtij lloji kërkojnë një kohë të gjatë rekuperimi që shkon nga 6 muaj deri në 1 vit, duke vënë në pikëpietje sezonin për Bakaj, i cili nuk ka pas vetes as moshën e duhur. Por sulmuesi i Dinamos së Brestit duket besimplotë, teksa shkruan në rrjetin e tij social se do të rikthehet shpejt dhe më i fortë se më parë.

“Falë Zotit operacioni po shkon shumë mirë. U dëmtova teksa po përpiqesha të shënoja dhe ky operacion nuk do të më ndalë që ta bëj këtë sërish kur të rikthehem në fushë. Do rikthehem shumë shpejt dhe më i fortë se më parë“, shkruan Elis Bakaj./Halit Delibashi-Sport Ekspres/