Rrezikojnë Osmani-Jashanica, ja si ndryshon formacioni!

Dy mbrojtësit nuk e përfunduan ndeshjen në Kiev dhe me shumë mundësi nuk do të luajnë të hënën. Trajneri Ilir Daja do të bëjë disa lëvizje

Skënderbeu i transfertës së Kamzës do të ketë disa ndryshime në formacion. Pas ndeshjes me Dinamon e Kievit, edhe vetë trajneri Ilir Daja e pranoi faktin se do të bëjë rotacion, por dihet tashmë që kryeqytetasit nuk i pëlqejnë lëvizjet e shumta. Në fakt, të paktën dy lëvizje janë të detyruara, për shkak të dëmtimeve, kurse lëvizjet e tjera mund të jenë në varësi të strategjisë për të shkuar te fitorja në këtë transfertë.

DËMTIMET – Tre janë lojtarët që shqetësojnë stafin teknik të Skënderbeut, sepse kanë probleme me dëmtimet. Mbrojtësit Tefik Osmani dhe Bajram Jashanica lanë fushën të dëmtuar në Kiev dhe rrezikojnë seriozisht ndeshjen e së hënës, për të mos thënë se e kanë humbur atë. Janë të dy titullarë shumë të rëndësishëm dhe sigurisht që trajneri Daja, duke pasur parasysh edhe kohën e shkurtër në dispozicion, nuk do t’i rrezikonte ata në këtë ndeshje kampionati. Kjo do të thotë se aktivizimi i Fidan Alitit është i sigurt ndaj Kamzës. Ai do të luajë përkrah Radasit në qendër, por një alternativë mund të jetë edhe Lulaj. Lojtari tjetër me probleme dëmtimi është Enis Gavazaj, që luajti në pjesën e dytë të ndeshjes me Dinamon e Kievit, por edhe aty mori disa shkelma. Ndaj Flamurtarit sakrifikoi, por këtë herë vështirë se mund të jetë titullar, për vetë faktin se Skënderbeu ka shumë alternativa për mesfushën.

MESFUSHA – Për ndeshjen e së enjtes nuk ishte në protokoll, pasi ishte i skualifikuar. Mesfushori Nimaga është gati për Kamzën dhe mendohet të jetë në fushë nga minuta e parë. Nga titullarët e Kievit në mesfushë pritet të luajnë Lilaj dhe Dita apo Xhejms. Gati për trajnerin Daja, madje mezi po e presin momentin e tyre, janë lojtarë me kualitet si Shkodra, Taku e Sahiti. Ndonjërin prej tyre me siguri do ta shohim titullar në ndeshjen e radhës.

SULMI – Ndoshta ka ardhur momenti i sulmuesit çek, Martin Nespor, i cili nuk u aktivizua në Kiev. Soue ka qenë sulmuesi i vetëm i korçarëve në këto ndeshje të fundit dhe, duke qenë se ka harxhuar jo pak energji, mendohet të pushojë ndaj Kamzës ose të jetë i gatshëm në stol. Megjithatë, pasi të shohë sot gjendjen e lojtarëve, trajneri Daja do të ketë një ide më të qartë në lidhje me ata që do të zbresin në fushë nga minuta e parë në ndeshjen e së hënës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *