Rrësheni në festë, vajzat mirditore kthehen në elitën e volejbollit

Rrësheni është një qytezë e vogël, por që në volejboll ka një traditë të jashtëzakonshme, si pak qytete në Shqipëri. Në sallën sportive “Arjana Arapi” të Rrëshenit u zhvillua sot paradite një ceremoni për të vlerësuar skuadrën e këtij qyteti në volejboll për femra, Mirditën, që zuri vendin e parë në kampionatin e Grupit A2 dhe sezonin e ardhshëm sportiv 2018-2019 do të luajë mes më të mirave, në Grupin A1. Skuadrës mirditore dhe stafit të saj iu dorëzua nga drejtuesit e FSHV-së, presidenti Erlind Pëllumbi e sekretari Albens Vokopola si dhe anëtari i kryesisë Ilia Vasili, kupa e rastit, duke përgëzuar ekipin për rezultatet e arritura.

Rikthimi i Mirditës në elitën e volejbollit shqiptar mbetet padyshim një lajm i mirë për sportin shqiptar, një ekip me traditë në volejbollin tonë, që gjithnjë ka treguar dashuri për sportin e rrjetës. Ky rezultat u arrit edhe falë mbështetjes që jep Bashkia e këtij qyteti për skuadrën e volejbollit si dhe ndihmës financiare nga sponsori i skuadrës Muhamet Troplini. Ndërkohë që mbështetja e tifozerisë mirditore nuk ka munguar asnjëherë, duke përkrahur vajzat në ndeshjet e kampionatit.

Presidenti Erlind Pëllumbi përcolli në këtë ceremoni edhe përshendetjen dhe urimin e Ministres së Sportit, Lindita Nikolla, që vlerëson këtë rezultat të arritur nga skuadra e Mirditës. “Më vjen mirë që Rrësheni do të jetë sërish në hartën e elitës së volejbollit shqiptar, një qytet që e do sportin e volejbollit dhe që gjithnjë ka treguar dashuri për të. Unë uroj skuadrën e stafin e saj si dhe të gjithë ata që kanë bërë të mundur këtë rikthim të Mirditës në elitën e volejbollit. FSHV ju uron suksese në të ardhmen”, tha presidenti Erlind Pëllumbi. /fshf.org.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *