“Rregullorja e thotë qartë, mund të aktivizohen edhe nga akademia”, Egbo flet para derbit: Është një ndeshje e radhës

Derbi i kryeqytetit do të kthehet sërish mbrëmjen e nesërme, ku në fushën e “Air Albania” Tirana dhe Partizani do të masin forcat me njëri-tjetrin. Në prag të këtij dueli të shumëpritur, Egbo ka folur në konferencën e zakonshme për shtyp. Trajneri i bardhebluve shprehet se e konsideron derbin më tepër si një ndeshje të radhës. Sa i përket rasteve pozitive me Koronavirus në radhët e Partizanit, Egbo nuk duket i frikësuar, madje kujton edhe rregulloren, duke pranuar nënkuptuar se skuadrat mund të hyjnë në fushë edhe me ekipin e dytë apo të akademisë në rast se shumë prej lojtarëve preken me Covid-19.

“E kemi përgatitur si ndeshjen e radhës. E dimë që është derbi i fundit i këtij sezoni. Mendoj që jemi përgatitur siç duhet. Të futemi në fushë dhe të japim maksimumin. Shpresoj që me kismet të Zotit, të marrim atë rezultat që na duhet. Ne do futemi në fushë dhe do të fokusohemi te ndeshjet që kemi fituar. T’ia bëjmë yzmetin dhe në fund Zoti do e shpërblejë punën.

Më mirë derbi apo titulli? Nuk jam tifoz, ne gjithmonë fokusohemi te objektivi. Çdo klub ka objektivin e vet. Do vazhdojmë me objektivin që na ka vënë klubi në fillim të sezonit“.

Komisioni i etikës- “Ka persona të tjerë që mund ta japin këtë përgjigje. Unë jam trajneri, dhe merrem me atë që ndodh brenda fushës. Ka drejtor, president, menaxher, kësaj pyetje duhet t’i përgjigjen ata. Nuk e di fare çfarë kishte Komisioni i Etikës sot. Ne fokusohemi te fusha, atje kemi punë. Aty vazhdojmë punën tonë. Nuk besoj se lojtarët i shpërqendron kjo situatë. Ajo ndeshje ka mbaruar. Ne si staf dhe lojtarë kemi punë vetëm brenda fushës. Nuk merrem me gjërat e tjera“.

Infektimet te Partizani- “Nuk është herë e parë që ka lojtarë të infektuar. Presim të dalin rezultatet e lojtarëve të tjerë. Po dolën negativë, nuk kemi pse të kemi frikë, vetëm kujdes do të kemi. Është diçka normale për ne, nuk është hera e parë. Rregulloja e thotë qartë që nuk e ndalon zhvillimin e ndeshjes. Ndeshja vazhdon. Lojtarët e infektuar izolohen. Çdo lojtar tjetër qofshin ata edhe të akademisë mund të aktivizohen pa problem, janë lojtarë të klubit qoftë të Tiranës apo Partizanit“.

Vlera e derbit- “Vetëm 3 pikë në nevojiten. E thashë dhe në fillim, ne fokusohemi te objektivi. Unë nuk kam sfidë personale me askënd, jam thjeshtë punëtor i klubit. Jam i përqendruar vetëm te klubi, nuk kam asgjë nga ana personale“.

Ku ndryshon sfida e nesërme nga derbi i fituar 5-1?

“Është derbi i fundit, është si ndeshje e radhës. E rëndësishme është të futemi në fushë dhe të marrim atë që na takon. Nuk e kemi mendjen te rezultati. Mjafton të marrim atë rezultat që do të na nevojitet për objektivin që kemi. Ndeshja i ka të treja rezultatet, shpresojmë të marrim atë që është më i miri për ne. E rëndësishme është të futemi në fushë dhe të japim maksimumin. Në qoftë se japin maksimumin, unë mendoj që do të marrim rezultatin që na takon. Rezultati vjen duke dhënë 100 %”, ka deklaruar Egbo./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *