Rregull, ide dhe cinizëm, revolucioni “pa zhurmë” i Dalipit!

Drejtuesit i besuan bankinën e kuqe pas shkarkimit të Starovës, duke i dhënë shansin që zëvendësi i “Bobit” priste dhe kishte ëndërruar: rezultate, grintë, lojë dhe ekipi që e ndjek totalisht…

Anton Cicani

Pesë ndeshje, katër fitore, një barazim, zero humbje, 8 gola të shënuar dhe asnjë i pësuar, plot 13 pikë dhe vendi i tretë në renditje, 6 pikë larg Kukësit dhe asaj që mund të kthehet Champions, nëse CAS-i lë në fuqi vendimin për dënimin e Skënderbeut me mospjesëmarrje në kupat e Europës…

Edhe ndoshta në ëndrrat e tij, Klevis Dalipi nuk e kishte menduar që pikërisht në debutimin e tij të parë si trajner kryesor do të merrte vendin e Sulejman Starovës. Madje, dy javët e para vazhdonte të jetonte me frikën se një tjetër do të zgjidhej, deri sa klubi, duke parë edhe rezultatet dhe impaktin që pati te futbollistët, vendosi që ta mbajë të paktën deri në fund të sezonit dhe deri tani ky bast ose zgjedhje është duke i shpërblyer.

Në fakt, që Klevis Dalipi kishte stigmatat e trajnerit të parë kjo është shfaqur në shumë momente të sezonit dhe madje edhe të viteve të shkuara, kur shpesh pezullimet e Starovës, apo edhe ndoshta qëndrimi i tij në pankinë, linin hapësirë për indikacionet e Dalipit. “Me Starovën luanim me frikë, tani jo më!”, u shpreh në fund të ndeshjes së fituar në Laç, një fushë nga më të vështirat në Superligë, Asani, teksa konfirmoi të vërtetën absolute.

Skuadra dhe lojtarët, me Dalipin, po luajnë futboll të pastër, pa frikë, të rregullt, me ide dhe manovra të provuara gjatë, por sidomos me një cinizëm të jashtëzakonshëm. Shifrat flasin, ashtu sikurse edhe renditja. Starova e la në vend të 6-të, ndërsa Dalipi e rikthehu në vend të tretë dhe aty ku i takon, me sytë më lart. Bastin e tij personal, për momentin, e ka fituar. Partizanit është vështirë t’i bësh gol, por sidomos të kuqtë dinë edhe ku të godasin.

Zgjedhjet – Në Laç, sakaq, zgjedhjet e Dalipit ishin perfekte: jashtë Kardozo dhe në vend të tij Abdurrahmani, që do të shënonte golin deçiziv dhe që mbylli praktikën, pak minuta më pas. Por, jo vetëm kaq, pasi më vonë do të aktivohej edhe Kulum, i cili dha edhe pasimin e saktë për kundërsulmin e finalizuar nga Progni.

Praktikisht, Dalipi fitoi jo vetëm me lojë, por edhe me ide dhe zgjedhje teknike, duke konfirmuar se njeh organikën e tij më së miri dhe se, gjatë gjithë sezonit, edhe pse i dyti, studionte për t’u bërë i pari. Pankina e parë në karrierë dhe menjëherë te Partizani… Tani, objektivi është të ndjekë gjurmët e Gatuzos, që u nis të ishte thjesht një timonier i përkohshëm për ta nxjerrë nga ujërat e turbullta Milanin, por që me punë dhe rezultate fitoi të drejtën e rinovimit. Atë të drejtë që edhe Dalipi po kërkon të fitojë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *