Rrëfimi special i Mario Götze: Kam qenë në depresion, për mua ferri është…

0

Mario Götze është një ndër lojtarët me historinë më të veçantë në futboll, teksa ka shijuar shumë suksese në moshë shumë të vogël dhe në kohën që supozohej të kishte kulmin e tij, ai çuditërisht u zhduk.

Në një rrëfim unik, gjermani ka zbuluar shumë gjëra për jetën e tij, që nga debutimi në kohën kur ishte 17 vjeç e deri te goli në finalen e Botërorit, apo sëmundjen.

GÖTZE – “Nëse keni lexuar dhe dëgjuar në media, unë kam qenë tradhtar, hero, dështim, më pas jashtë futbollit. Të gjitha këto në 4 vite. Për mua ferri është të mos luaj dot futboll. Kaq e thjeshtë është”.

DITA MË E VEÇANTË – “Goli im në finalen e Botërorit do të mbahet mend edhe pas 100 vitesh, por për mua dita më e madhe ka qenë në 21 nëntor 2009, një barazim 0-0 ndaj Mainz në Dortmund. Isha 17 vjeç, Klop më tha të bëhesha gati se do futesha. U çova, nisa të bëj nxehje, pashë Murin e Verdhë dhe sinqerisht isha aq nervoz sa gati po e bëja në brekë. Kur shkela për herë të parë në Westfalenstadion, atë moment nuk do ta harroj kurrë, ashtu si golin në Kupën e Botës. E falënderoj Klop për gjithçka”.

SËMUNDJA – “Për pjesën më të madhe të jetës sime nuk kam njohur vuajtje. Gjithçka më ecte vaj dhe e jetova ëndrrën që kur isha shumë i ri. Luaja përballë Murit të Verdhë që në moshën 17-vjeçare, luajta duke pasur në drejtim dy ndër trajnerët më të mëdhenj në futboll. Shënova në finalen e Botërorit në moshën 22-vjeçare. Të jem i sinqertë, isha aq i ri saqë nuk e kuptoja mirë çfarë po përjetoja. Nuk i vlerësoja si duhet gjërat. Më pas u sëmura dhe gjithçka avulloi”.

BOTËRORI 2014 – “Të gjithë flasin për golin e finales, por njerëzit harrojnë sa i shëmtuar ishte ai Botëror për mua. Tani të gjithë harrojnë që kundër Algjerisë u zëvendësova në pushim, por unë nuk harroj. E nisa nga stoli kundër Francës, nuk luajta fare kundër Brazilit në gjysmëfinale. Para finales isha në depresion, nuk e them dot që isha i pjekur dhe prisja gjithçka me qetësi. Nuk e parashikoja dot atë që do ndodhte më vonë. Goli? Për mua është pjesërisht fat, pjesa më e rëndësishme ishte para finales, në hotel, ku vendosa të mos trishtohesha më për atë situatë dhe vetëm të stërvitesha. Mund të mos luaja unë, mund të futej dikush tjetër, apo Schurrle të mos e hidhte atë kros aq saktë.

Sa i përket frazës së trajnerit Lëv para se të hyja në fushë, as që e dëgjova qartë çfarë më tha. Kur ai e përsëriti në konferencën për shtyp pas ndeshjes, u bë zhurmë e madhe. Unë isha nën presion të paparë te Bayern. Krahasimi me Messin nuk ishte diçka e mirë për mua, vetëm 22 vjeç në atë kohë”.
LARGIMI NGA DORTMUNDI DHE KALIMI TE BAJERNI – “Ishte vendimi më i vështirë i jetës sime! Bayern më kërkoi edhe verën paraardhëse, por vetëm kur shkoi Guardiola u binda. E kisha vendosur të largohesha nga Dortmundi, por nuk i kuptoja pasojat. Nuk e di kush e nxori sekretin, por jo unë. Dy ditë para se të luanim kundër Real Madridit në Champions League, lajmi mori dhenë. E kuptoj reagimin e njerëzve, për shumë njerëz futbolli është shumë më tepër se një lojë. Megjithatë, në atë kohë ishte diçka tronditëse të shihje reagimet e njerëzve.

Disa javë më vonë policia qëndronte te dera e shtëpisë së prindërve të mi, për të na mbrojtur. Unë mund ta përballoja atë situatë, por vëllai im ishte vetëm 14 vjeç kishte njerëz që e prisnin jashtë shkolle. Mamasë sime çfarë nuk i thanë, familja mori kërcënime në internet. Ishte e pabesueshme ajo që përjetuam, m’u desh të largohesha në verë, por familja qëndroi në Dortmund. Ishte periudha më e vështirë në jetët tona”.

BAJERNI – “Duhet ta kuptoni çfarë mendon një djalosh 20-vjeçar. A e mbani mend kur keni qenë 20 vjeç? Nuk e kupton si funksionon bota. Unë nuk shkova kurrë në universitet, nuk kisha jetuar kurrë vetëm. Mendoja se më duhej një ndryshim në jetë dhe në aspektin futbollistim, mendoja se të luajturit me Pep në drejtim do të më ndihmonte të zhvillohesha edhe më shumë. Është e vështirë për mua të them që transferimi te Bayern ishte gabim, sepse mësova jashtëzakonisht shumë nga Guardiola”.

JURGEN KLOPP – “Ishte trajner fenomenal, por personaliteti i tij ishte më i rëndësishmi për mua si lojtar i ri në moshë. Më lejoi të debutoja që në moshën 17-vjeçare, më kujtohen ende britmat e tij në stërvitje, kur shihte që nuk jepja maksimumin, por pas stërvitjes gjithçka ndryshonte, ishte shumë i qetë. Trajner i mrekullueshëm, person i jashtëzakonshëm, ai dinte si të më trajtonte. Nuk kam takuar kurrë një trajner aq gazmor sa ai. Nuk do ta harroj kurrë kur e takova në Dusseldorf gjatë verës. Ishte duke shkuar te një specialist për transplant flokësh. Në Gjermani kishte bërë bujë ai lajm, ndërsa ai bënte humor. Qeshi, më tregoi sa bukur do dukej kur të vendoste flokë të reja. Kur u ndamë, më shkeli syrin dhe më tha: ‘Mos u shqetëso Mario, do ta ruaj numrin e telefonit’. I thashë: ‘Çfarë numri?’ Më tha: ‘Të mjekut. Nuk i dihet, pas pak vitesh mund të kesh nevojë për flokë të reja’. Tani, pas kaq shumë vitesh, nuk kam ende nevojë për numrin e specialistit të flokëve. Ende jo. Ndoshta do kem nevojë pas shumë vitesh”.

FALENDERIM – “Në fund, gjëja më e rëndësishme: Falënderoj tifozët e Dortmundit për mbështetjen që më kanë dhënë këtë sezon. Ka qenë diçka vërtet e veçantë për mua. Kam qenë në majë, kam prekur fundin. Nuk e di si po ecën ky udhëtim, por dua të them që ky klub është një pjesë shumë speciale e jetës sime dhe jam shumë i lumtur që jam rikthyer ta shijoj të luajturin futboll”.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.