Rrëfimi prekës i gjyqtarit shqiptar: Pamja ime nuk tregon asgjë, çfarë kam humbur unë…

Fatlum Berisha ka qenë një nga gjyqtarët e parë nga Kosova që ka stemën e FIFA-s. Së bashku me Bujar Selimajn dhe Genc Nuzën, ka mbajtur drejtësinë e takimeve edhe në arenat europiane. Berisha është gjyqtarë asistent, ndërsa gjithmonë ka pasur vlerësim për punën e tij.

Shpeshherë është e lehtë që t’i gjykojmë, duke harruar se edhe gjyqtarët janë njerëz që mbrapa kanë historinë e tyre të jetës. Në rastin konkret, fshihet një tragjedi, pasi Berisha ka humbur djalin e tij të vogël, por gjen forcën për t’u rikthyer në punën e tij. Në intervistën për “Gazeta Sheshi” shprehet:

“Pamja ime fizike nuk e tregon atë se çfarë dhimbje kam në brendinë time. Çfarë kam humbur unë nuk e zëvendëson asnjë gjë këtë botë… Kam vendosur ti mbledh forcat dhe po mundohem ta tejkaloj këtë dhimbje. E bëj për gruan, e bëj për vajzën dhe gjithë atyre personave që më kanë ofruar mbështetje të madhe për ta tejkaluar këtë dhimbje.

Përpara çdo ndeshje lutem dhe i drejtoj duart nga qielli duke thënë se engjulli im gjendet atje lart dhe ai do të më jap forcë për ta kaluar çdo sfidë.

Kam patur momente edhe kur jam dëshpëruar shumë dhe në ndeshje kam patur moment kur më kanë dalë lotë nga kujtimi i hidhur. Në fillim kishte vështirësi, sepse isha mësuar që para çdo ndeshje të përshëndetesha me Drenin tim, i cili më përcillte gjithmonë.

Shpresoj të kem shëndetin në rend të parë dhe sipas përforcmancës tonë si ekip, së bashku me kolegët e mi, Gencin dhe Bujarin, shpresojë shumë që viti që do të vjen do të jetë shumë i rëndësishëm për ne. Shpresoj që Genci të kaloj në Kategorin e Dytë të nivelit Evropian, nivel ky i cili na hap rrugën të gjykojmë në Evropa Ligë deri në fazen e grupeve. Deri tani kemi patur mundësinë të drejtojmë ndeshjet kualifikuese për në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës, si dhe kompeticionet e të rinjëve”, tha Berisha.