Rrëfimi prekës, Dibala: Ne futbollistët ndihemi të vetmuar!

0

 

Sulmuesi rrëfehet jashtë fushës së blertë: Kur kemi topin mes këmbëve, jemi të lumtur, por askush nuk e di se si ndihemi mbas kuintave. Zoti na jep dhunti, por duhet ta punojmë. Humba tim atë 15-vjeç

Paulo Dibala nuk po kalon një moment të lumtur te Juventusi, duke qenë se nuk po arrin të jetë deçiziv dhe shënojë, edhe pse skuadra po paraqitet mjaft mirë dhe pasi u kualifikua në fazën tjetër të Champions, tashmë synon që të mundë edhe Interin në kampionat, për ta ulur nga kreu…

“Joya”, pra numri “10” bardhezi, rrëfehet, duke folur pak për topin dhe shumë për jetën. E bën në një intervistë ekskluzive të dhënë për “Vanity Fair”, që i ka dedikuar edhe kopertinën. Sulmuesi i ri flet edhe për familjen e tij, duke kaluar nga e shkuara te e ardhmja. Dhe, duke pranuar që, pas kuintave, futbollisti jeton një “parajsë të hidhur”.

“Zoti na jep një dhunti, por më pas ajo dhunti duhet punuar. Kam parë shumë fenomenë në sektorin e të rinjve. Djem për të cilët thonin: nëse vetëm do të kishte pasur kokën, do të mund të ishte Maradona ose Mesi. Ja, unë punova sidomos për të shmangur këtë gjë. Kur kemi topin në këmbë, ne futbollistët jemi të lumtur. Ajo që ndodh më pas, pas skene nuk është e bukur. Kush bëhet futbollist kur arrin në nivelin tim? Në të shumtën e rasteve është një njeri shumë i vetmuar”.

Babi – Çdo gol që ai shënon është dedikim për të atin: “Vdiq për një tumor, kur isha vetëm 15-vjeç. Ishte një dhimbje e madhe. Muajt e shkuar nuk arrinte që të më vizitonte dhe klubi më dha leje që të shkoja unë në shtëpi. Gjashtë muaj ishin shumë pak dhe më erdhi ndjesia që të lija gjithçka… Ndoshta një ditë do të ritakohem me të ose jo, por për babain tim mendoj gjithmonë dhe i dedikoj të gjitha golat e mi”.

Argjentina – Sakaq, duke folur në lidhje me Argjentinën dhe Italinë, ai u shpreh: “M’u kërkua që të vishja fanellën e Italisë dhe jam shumë i nderuar për këtë gjë. Isha vetëm 19-vjeç dhe të përgjigjesha “jo, faleminderit!” ishte e rëndë. Por, jam argjentinas dhe do të kishte qenë një tradhti për vendin tim”.

Topi i Artë – “Kur mblidheshim përreth zjarrit, si fëmijë, gjatë verës me miqtë, shprehja dëshirën për të fituar “Topin e Artë”. Do të ishte një mesazh i rëndësishëm për shumë fëmijë. Për të gjithë ata të lindur në një vend të vogël larg qendrave, të cilët mund të ëndërrojnë një histori si timen”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image