Rrëfimi interesant i Kostakurtës: Derbi, Milani dhe kundërshtari më i vështirë

Mbrëmjen e së dielës do të luhet derbi i Madoninës numër 222. Inter dhe Milan do të ndeshen mes tyre, pasi vijnë nga një ecuri e mirë momentalisht, sidomos zikaltërit, të cilët vijnë pas gjashtë fitoreve radhazi mes kampionatit dhe Championsit.

Një nga protagonistët më të mëdhenj të kësaj sfide është ish-mbrojtësi legjendë i Milan, Alesandro Kostakurta. 52-vjeçar tashmë, italiani ka kaluar plot 21 vite në ekipin e parë të Milanit. Kostakurta ka folur në lidhje me derbin që do të luhet në fundjavë dhe sipas mendimit të tij, kjo ndeshje do të vendoset nga mbrojtësit.

DERBI – “Njerëzit presin të gjithë që derbi të vendoset nga Higuain apo Ikardi, por unë mendoj se protagonistë do të jenë Alesio Romanjoli ose Milan Shkrinjar. Markimin e Ikardit mendoj se do ta bëjë Musakio, pasi është më agresiv se sa Romanjoli”.

NDESHJA – “Inter është një ekip i fortë dhe ka lojtarë që të vendosin në vështirësi nga krahët si Perishiç, Politano apo Kandreva. Interi është më mirë nga ana psikologjike, ndërkohë Milani ka diçka më shumë në kreativitet, por kjo nuk do të thotë se janë më të fortë. Unë mendoj se Inter është një hap më para.”

GATUZO – “Edhe si lojtar Gatuzo, gjithmonë të jepte përshtypjen se do të bentë gjithçka që të përmirësohej. Në dhomat e zhveshjes gjithashtu ai kërkon që atmosfera të jetë gjithmonë entuziaste. Për të qenë i sinqertë, mund të flas vetëm fjalë të mira për të.”

KUNDËRSHTARI MË I VËSHTIRË – “Janë shumë derbi që mund të kujtoj dhe kam luajtur me shumë lojtar fenomenal. Më i miri që më është dashur të markoj ka qenë Ronaldo. Nuk mund të flija një natë përpara ndeshjes, sepse ishte thjesht i pandalshëm. Në një ndeshje në kupën e Italisë e godita lehtësisht Ronaldon dhe bëra faull. Bepe Bergomi vrapoi për më shumë se 50 metra për të më shtyrë. Ishte një faull paksa i shëmtuar, por Ronaldo ishte vërtet i pandalshëm dhe i vinte shpesh në vështirësi mbrojtësit”, përfundoi legjenda e kuqezinjve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *