Rrëfimi i talentit Vrioni: Kombëtarja, skuadra e zemrës dhe modeli Ibra

Giacomo Vrioni, Xhakomo ndryshe i themi ne në Shqipëri. Luan në sulm dhe të dhënat i ka mjaft të mira. Vetëm pas tre ditësh bën 20 vjeç, ndërkohë që është nën kontratë me Sampdorian deri në vitin 2022. Skuadra xhenoveze pret prej tij dhe e ka huazuar te Venecia në Serinë B. Mundësi e mirë për t’u rritur.

I lindur në Itali, por shqipja e tij është perfekte. Për ata që nuk e dinë, sulmuesi është nga Sukthi dhe nuk ka të bëje me familjen e njohur aristokrate me origjinë nga Berati. I pëlqen Interi dhe kjo prej Ronaldos, brazilianit.

Vrioni, me fanellën e Sampdorias

Ndoshta një shpërthim te Sampdoria do bënte që të zgjohej edhe interesimi i zikaltërve. Vrioni e pranon që do të donte të ndiqte hapat e Mauro Ikardit. “Urojë të ndodhë. Atë do doja”, shprehet ndër të tjera sulmuesi për “Sport Ekspres”.

Si çdo futbollist, edhe ai mundohet të “imitojë” lojtarë të kalibrit botëror që luajnë në të njëjtin rol. Vrionit i pëlqen Ibra i fushës dhe atë merr shembull. Sigurisht vetëm për atë që bën në fushë. “Marr shembull shumë nga Ibrahimoviç, më pëlqen si sulmues. Është shumë i fortë”, shton lojtari i kombëtares.

Me Venecian situata nuk është më e mira. “Gjërat nuk po na shkojnë shumë mirë si ekip në Itali, duhet të përmirësohemi shumë për të dalë nga faza jo e mirë”, thotë Vrioni, i cili deri më tani është aktivizuar në tre ndeshje me skuadrën e tij në Itali. Golin ende nuk e ka gjetur.

Vrioni, pas intervistës | Foto: Sport Ekspres

Sa i takon ndeshjes me Spanjën, Vrioni i kënaqet lojës: “Jam ndjerë shumë mirë në fushë, u paraqita, më saktë u paraqitëm të gjithë mirë besoj. Bëmë një ndeshje shumë të mirë me Spanjën. E dinim se ata ishin një skuadër shumë e fortë, por bëmë maksimumin. Na vjen keq për rezultatin, por jemi shumë të lumtur për ndeshjen”.

Kristian Panuçi e kishte ftuar për miqësoren me Jordaninë, por ditën e ndeshjes me Spanjën i është komunikuar të shkojë me Shpresat. “Në mëngjes më tha trajneri Panuçi, që meqë nuk luajta ndaj Jordanisë, të vija të luaja me U21. Sigurisht që e pranova. E prita mirë diçka të tillë, kombëtarja është kombëtare, si këtu, si atje”. Asnjë polemikë nga sulmuesi, i cili tregon pjekuri edhe jashtë fushës.

Vrioni, me moshat e Italisë

Dëshira ishte të debutonte me kombëtaren e madhe, por do të presë momentin e tij. “Prisja pak të luaja me kombëtaren e madhe, isha pak i emocionuar nga përzgjedhja e misterit. Synoj të stërvitem çdo ditë sa më mirë për t’u përmirësuar”.

Vrioni tregon edhe si e pritën, diferencat mes kombëtareve dhe për ata me të cilët u lidh më shumë. “Ka diferencë mes kombëtares U21 dhe asaj të madhe. Edhe këtu ka lojtarë që luajnë me ekipe të mëdha, por te kombëtarja A kanë më shumë eksperiencë. Më pritën shumë mirë aty, ka shumë profesionalizëm. Gjatë kohës së qëndrimit në kombëtare u lidha më së shumti me Andi Lilën dhe Hysajn”, u shpreh 19-vjeçari, i cili me fanellën e Shpresave ndaj Italisë dhe Spanjës ka treguar cilësi të mira dhe shihet si një element që mund t’i bëjë punë kuqezinjve në të ardhmen.

VLADIMIR PRENGA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *