Rrëfimi i Rejës për talentet e Kombëtares: Nuk e kuptoj te Çekiçi, Broja nuk është ende gati

Trajneri i Shqipërisë, Reja, ka folur për talentet e reja të Kombëtares. I pranishëm në emisionin “Pressing”, tekniku italian ka folur mbi elemente të prespektivës si Çekiçi dhe Broja. Gjithashtu për të prekur temat delikate dhe shumë të diskutuara, si ajo e pakënaqësisë së Taulant Xhakës apo Eros Grezdës, ndërsa ky i fundit ka kërkuar falje.

“Rasti i Grezdës ishte zgjedhje personale. Kur më tha që donte të rrinte jashtë, i thashë që është i lirë. Ai pati disa pretendime dhe u largua. Më kërkoi falje, por ishte vonë. Ishte zgjedhje personale e tij. Xhakën e thirra herën e fundit dhe pati një dëmtim. Ai është në projektin tonë, nëse përgjigjet. Nëse jo, atëherë është problemi i tij. Grezda? Të shohim. Të shohim si do ecë me skuadrën e tij.

Mavraj ka bërë një operim në krah. Pati një problem në shpatull dhe më kërkoi të qëndrojë pushim. Duhet parë nëse ai do të vazhdojë përsëri. Kemi lojtarë të rëndësishëm. Selmani? Duhet ta shohim edhe atë. Po luan, ashtu edhe Kastrati. Ka lojtarë që mund të futën në organikën tonë.

Broja luan në skuadrën e dytë të Chelsea. Mendoj se nuk është gati të luajë në nivel europian. E kam ftuar ta shoh. Nga ana taktike dhe fizike është mirë. Është një lojtar që e merr topin, por nuk i sulmon mirë hapësirat.

Sa i përket Çekiçit është një lojtar me dhunti nga ana teknike. Ka një rol që nuk e kam kuptuar: Është mesfushor qendre apo fantazist? Godet mirë goditjet standarde, do ta studiojmë. Jemi aty, po e ndjekim. Nëse përmirësohet dhe pak nga ana fizike, do të ishte më mire”, ka thënë Reja. /Sport Ekspres/