Rrëfimi i Idi Bathës për derbin: Kur i shënova Partizanit, i shurdhova Osmanin dhe Karabecin që në darkë

Idi Batha do të ketë vëmendjen kryesore në derbin mes Tiranës dhe Partizanit. Një ish i të kuqëve, që do të kërkojë të dëmtojë këtë skuadër, për të vazhduar ëndrrën me bardheblutë dhe për të fituar titullin kampion.

Një hero ishte në përballjen e fundit, atje ku skuadra e Egbos arriti që të fitojë me rezultatin 2-1 ndaj Kukësit. Goditja e dënimit që u ekzekutua në perfeksion nga Batha i hapi rrugën përmbysjes së madhe. Në një rrëfim të gjatë për “Supersport” para këtij derbi, mesfushori i Tiranës ka shumë për të treguar:

“Është një simbolik mjaft e thjeshtë, unë gjithmonë jam i dhënë pas numrit 10. Por gjithmonë është i zënë ky numër jo vetëm te Tirana. Aq më tepër që e kishte një mik i imi si Edon Hasani. Zgjodha numrin 55 me llogjikën 5 plus 5. Që kur erdha te Tirana kam nisur të stërvitem më shumë se te ekipet e tjera, pasi kushtet janë më të mira, fusha është më e mirë. Pastaj kam edhe Karabecin që bëmë një garë me njeri-tjetrin për goditjet standarte.

Drejtuesit e futbollit shqiptar janë të apasionuar pas lojtarëve më pasaporta të huaj, por nuk kanë treguar se janë më lartë se ata shqiptar. Pse jo, që t’i jap mbështetje edhe akademisë. Deri para ndeshjes që ne fituam mendova se kishte diferenca, se Partizani e përgatiste më mirë derbin, por ishte gjithçka te rezultati që mungonte.

Goli im ndaj Tiranës kur isha te Partizani? I bukur, i veçantë. Sa i përket festimit kudo që kam luajtur kam dhënë maksimumin dhe do ta bëj akoma. Goli ndaj Partizanit në derbi? Një natë para ndeshjes me shokët që rrimë, Karabecin dhe Osmanin, isha duke i shurdhuar që unë do jem shqiptari i parë që do shënojë në stadium. Ndjenjë e veçantë se isha edhe afër tifozëve të Tiranës.

Te goli ndaj Kukësit në goditje dënimi mendoja më vete: “Po sikur ta humbas? Se ishte krijuar një përshtypje se gjithë stadiumi po më shikonte mua dhe më kërkonte që bëje gol”. Asnjëherë nuk e kisha përjetuar në karrierë që ta kthesh rezultatin në 2 minuta ndaj ekipit më të fortë.

Do kem shumë dëshirë që ta surprizojë Alban Hoxhën, e kam më shumë se një mik. Do të ishte shumë e bukur që ta surprizojë sërish se është një nga portierët më të mirë në Shqipëri”, tha Batha. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *