Rrëfimi i gjatë/ “Të kthehem te Partizani? Dua, u ula me Gjicin”! Skënder Gega: Ja marrëdhënia ime me Ramën dhe Demin

Sezonin e shkuar i dhuroi titullin kampion që aq shumë i mungonte Partizanit, duke bërë atë që shumë shumë trajnerë të tjerë provuan por nuk e arritën dot. Skënder Gega ishte çelësi i suksesit të “demave të kuq” vitin e shkuar dhe rrëmbeu të gjithë prozhektorët pas vetes.

Megjithatë kur të gjthë prisnin sezonin e radhës për të rrëmbyer trofeun tjetër, trajneri shqiptar vjen me vendimin e papritur, duke lënë stolin e kryeqytetasve. U përfol për një eksperiencë të re në Jordani, e cila dështoi të finalizohej. Për të ardhur më pas te ngjarjet e fundit, kur shihej si pasardhësi i Duros në pankinën e Kukësit, megjithëse në fund ishte Orges Shehi ai që hodhi firmën në kontratë për këtë post.

Ndërkohë, Skënder Gega ka vendosur të japë një shpjegim për gjithçka, duke bërë një rrëfim me gazetarin Glend Tafaj në “Supersport”. Në fjalën e tij Gega ka prekur shumë tema, që nga Partizani e deri te bisedimet me Kukësin.

“Lotët që dolën pasi u shpallëm kampion nuk i komandoja dot. Mashkulli është si puna e reve që mbledh dhe mbledh e shpërthen. Erdhën tifozët, doja që t’i përqafoja të gjithë. Gjithmonë jam munduar që t’i shpërndaj respekt njerëzve që kam punuar te Partizani. Duhet të jem i sinqertë dhe përse kam disa kohë që jam larg Partizanit, duhet të jem i ndershëm edhe me tifozët. Kur erdha te Partizani, erdha me pushim me familjen. U kontaktova nga miku i Demit dhe i imi, Prodani. Kemi folur gjatë dhe ideja ishte që përse të mos afrohesh. Unë isha personi që kontaktova Demin, më ka pritur mirë dhe kemi shtrënguar dorën. Detajet nuk kanë rëndësi, por pashë që kishte ikur besimi te skuadra.

Më herët nuk erdha për shkak të familjes, fëmijëve, që ata janë rritur tani. Gjeta ambientin shumë të mirë, nuk më bënë presion dhe dhashë mendimin që gjithëkush të kalonte në një rrjetë, pa ofenduar vlerat e askujt. Problemi i parë ishte që t’i mbushja mendjen tifozëve që pavarësisht eliminimit në Kupat e UEFA-s, që po fillon një projekt i ri. Ne si shqiptarë nuk kemi shumë durim dhe ishte presioni i parë. Kam parë te Demi diçka tjetër që nuk e kisha parë më parë. Më dha dorën duke treguar besim te njëri-tjetri, megjithëse nuk mendova për t’u shpallur kampion, por për të bërë një progres të madh. Erdha në Shqipëri jo për t’i marrë skenën njeriut dhe lavdinë, i dëgjova kritikët, por nuk më bënin përshtypje. I kam parë kur mezi prisnin për një gol të pësuar, që të shpërthenin në televizione. Është e vërtetë që krijova një marrëdhënie të mirë me lojtarët, megjithëse nuk mund të them që ishim shok.

Unë njihem me presidentin Demi, është një person që ka marrë risk të madh, ka shpenzuar shuma të mëdha te Partizani. Pa mbështetjen e tij do të ishte shumë e vështirë. Më tha kur erdha që do të mbështes për pjesën financiare që duhet te ekipi dhe kurrë nuk më ka ndërhyrë. Kur shkova dhe ika, si një mik me të.

Marrëdhënia me Ramën? Kam qenë shumë bashkëpunues, kudo kam shkuar. Jam njeriu bashkëpunues, kam ca rregulla, parametra që nuk i shkel për asnjë arsye. Me drejtorin Rama njihemi kohë më parë, megjithëse nuk kemi pasur shoqëri të ngushtë. Të jem i sinqertë Rama nuk është drejtor teknik në rolin e specialistit, por drejtor i klubit. Jam munduar të mbaj pozicionin tim. Kam dëgjuar shumë fjalë, nuk kemi pasur konflikte, por mendime të ndryshme në disa gjëra. Nuk mund të them më tepër pasi kam dalë kampion, nuk kam bërë asnjë dëm, nuk ka përse ta gjykojë veten.

Kam zgjedhur mënyrën që të mos flas shumë, sidomos kur largohem. Doja të vazhdoja, por ika sepse u krijuan disa gjëra dhe për arsye personale e kemi ndërprerë kontratën. Njeriu kur punon, ka edhe mos dakortësim. Kurrë nuk kam shkuar te Demi që të ankohem për stafin dhe lojtarët dhe i mbaja për veten gjërat. I kërkova Demit pas një bisede me Ramën që të largohem, duke i dhënë një arsye personale. Zgjati shumë pak biseda dhe unë ika kështu, pa folur dhe dua të mbyllet aty, nuk dua të akuzoj njeri.

Dua të lë kujtime të mira. Unë e dua Partizanin, nuk ka asnjë sekret. Jam i lidhur me ata fanellë dhe nuk shkoja në stadium që të mos krijoja presion për kolegët. U gabua se u prekën themelet e asaj që ishin ndërtuar. Unë ekipin si një shtëpi, që duhet të ndërtohet pa hile, për të pasur themele të forta. Sa i përket Malës, nëse unë do të isha si trajner, do të luftoja dhe do të luftoja fort që vetëm ta kisha në skuadër. Të rikthehem te Partizani? Unë u ula me Gjicin, pra kjo do të thotë se dua, por nga ana tjetër Partizani e ka trajnerin dhe unë i uroj më të mirat.

Kukësi? E thashë edhe më parë që erdha për të tjera arsye në Shqipëri. Jam kontaktuar nga Nexhipi në orët e vona të natës, u takuam dhe biseduam. Secili i bën zgjedhjet në mënyrën e tij”, tha Gega. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *