Rrëfimi i gjatë i Armand Dukës, tregon edhe buxhetet e klubeve në Superiore: Deri në 1.2 milionë euro

0

Armand Duka ka bërë një rrëfim të gjatë për revistën “Monitor”, atje ku ka folur për shumë diskutime që lidhen me futbollin shqiptar. Për ta nisur që nga buxheti i FSHF-së, por edhe klubeve në Superiore.

Mes të tjerave theksohet se buxheti ka ardhur në rritje në dekadën e fundit sa i përket të ardhurave për futbollin shqiptar. Presidenti i FSHF-së ka thënë se klubet e Superiores kanë në menaxhim nga 400 mijë euro deri në 1.2 milionë euro sa i përket një viti futbollistik. Gjithashtu është prekur edhe ndërtimi i stadiumit të ri, “Air Albania”, që i jep një tjetër “fytyrë” Shqipërisë në Europë sa i përket pjesës së sportit.

“Mund të konfirmoj se shifrat që siguron futbolli shqiptar, kanë ardhur në rritje në dekadën e fundit. Këtu mendoj se duhet të bëjmë një ndarje mes buxheteve të FSHF dhe atyre të klubeve. Buxheti vjetor i Federatës së Futbollit është 8.2 milionë euro. Ndërsa nëse do flasim për klubet, në Kategorinë Superiore, variojnë nga 400 mijë Euro deri në 1.2 milionë Euro për secilin prej tyre. Në kategoritë e mëposhtme kemi buxhete modeste, sepse shumica dërrmuese e tyre menaxhohen nga qeverisja vendore, pra bashkitë janë aksonerët kryesorë të shoqërive.

Ndërkohë burimet e të ardhurave, ashtu si edhe në vende të tjera evropiane, vijnë nga të drejtat e transmetimeve televizive të ndeshjeve, shitja e biletave në stadiume, kompensimi i edukimit, merkatoja e lojtarëve si brenda ashtu edhe jashtë vendit etj.

Ajo që na duhet të gjithëve në këtë sektor, dhe këtu e kam fjalën për klubet, është një punë më e mirë për të shtuar burimet financiare, për të shtuar të ardhurat e në mënyrë paralele për të ofruar një standard që sportdashësit e mirëpresin. Kemi ende rrugë në këtë drejtim, dhe klubet, akademitë e futbollit por edhe institucionet shtetërore përgjegjëse për këtë fushë, e dinë që duhet të ecin krah nesh në këtë përpjekje kombëtare.

Vlera e shtuar e stadiumit tonë të ri, është e gjithëanshme. Nëse do ta specifikoja, mendoj se vlera mbi të gjitha është sociale, profesionale dhe ekonomike. Që t’i marr me radhë: Air Albania Stadium është një vlerë sociale, sepse krijon një ambjent të ri, atmosferë të re, për 22 mijë sportdashës, si kurrë më parë në Shqipëri. Ky impiant e kthen një ndeshje futbolli në një festival, në një vend argëtimi, në një vend ku mund të shkosh me familjen e veçanërisht me fëmijët. Nga ana tjetër, vlera e shtuar është profesionale. Pyesni futbollistët që kanë luajtur aty, e do ju përgjigjen se çfarë ndryshimi është të luash në një stadium të këtij kalibri. Pra, ndikimi profesional te futbollistët, stafet përkatëse, klubet etj. është shumë i madh. E treta, sigurisht është ndikimi ekonomik. Të ardhurat krahasuar me një stadium me kapacitet 8 mijë ose 10 mijë vendesh nuk është e njëjtë. Vlera që gjeneron është shumë herë më e madhe.

Arkëtimet në favor të futbollit shqiptar përgjatë një viti, duke përfshirë të gjitha eventet sportive të mundshme të kombëtares, klubeve në kampionat dhe kupë arrijnë një  pritshmëri prej 1.5 milionë euro ndërkohë këtu mund të shtojmë edhe të ardhurat nga e drejta e emrit të stadiumit, shitja e skybox-eve etj. një vlerë rreth 900 mijë euro. Ndërkohë që aty ofrohen edhe shumë shërbime dhe facilitete të tjera, si salla konferencash, aktivitetesh etj. Qëllimi ynë është ta hapim këtë impiant si një mjedis multikulturor modern për evente të ndryshme social-kulturore.

Unë do ta quaja një tempull edukimi. Është standard dhe edukim për lojtarët tanë, klubet, stafet përkatëse e deri te sportdashësit. Është krejt ndryshe të luash në një fushë me baltë, të mos kesh asnjë kusht bazik për lojtarët e stafet, e të ulesh në shkallë betoni për të parë një ndeshje, dhe krejt ndryshe të luash e të presësh sportdashësit në këto standarde.

Impakti u vu re qartë në dy ndeshjet që u zhvilluan në Air Albania Stadium, në atë inauguruese me Francën dhe në derbin e kryeqytetit, Partizani-Tirana. Ka patur një kërkesë të papërballueshme të sportdashësve tanë që sëbashku me familjet e tyre, sidomos të shoqëruar nga fëmijët, të ishin në stadium. Njerëzit tanë e jetojnë sportin dhe kanë nevojë për ta patur ngjyrën e tij të bukur në jetën e tyre. Ne jemi rritur me imazhet televizive të stadiumeve të mëdha, që edhe fëmijet i mësojë kur ndjekin ndeshjet e para. Air Albania Stadium është pikërisht ardhja e një imazhi të tillë në vendin tonë. Ai është i prekshëm dhe i arritshëm për të gjithë. Për këtë arsye, mendoj që do ketë një impakt të shkëlqyer në mënyrën sesi ne e mendojmë futbollin shqiptar dhe si e shijojmë atë. Imazhi që sportdashësit tanë shijojnë në komoditetin e Air Albania Stadium, është njëlloj me atë që kanë ëndërruar prej dekadash.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.