Rrëfimi i Antonio Toma: Lashë Interin për Vushtrinë, ju e bëni kafenë të mirë

Antonio Toma është një emër që tërhoqi vëmendje të madhe në kohën kur mori drejtimin e Vushtrrisë, për shak të së shkuarës së tij. Italiani ka qenë ndihmës i Antonio Conte-s për një kohë të gjatë dhe u përfol se kjo dyshe do të ribashkohej sërish, por këtë herë te Interi.

Megjithatë, Toma bëri një tjetër zgjedhje, duke nisur një aventurë të re në Kosovë. Në një intervistë për “Insport”, trajneri ka bërë një rrëfim të gjatë, ku ndër të tjera tregon edhe mënyrën si ka ardhur në krye të Vushtrrisë, për të cilën ka refuzuar edhe Interin.

Toma është ndalur edhe te ekipi i tij aktual, ku shpjegon çfarë e pengon grupin e tij për të zbatuar filozofinë që trajneri ka sa i përket lojës. Ndërkohë gjatë qendrimit në Kosovë, trajneri nuk mund t’i shpëtojë një zakoni shqiprat, atij të konsumimit të kafes.

“Ditën e nis me një kafe në mëngjes, unë pi shumë kafe dhe këtu ju i bëni të mira. Menaxheri im ishte këtu në Prishtinë për biznes dhe gjatë një takimi me presidentin, presidenti i kishte thënë se i duhej një trajner, ai më ka propozuar mua.

Unë kur u njoftova për ofertën e Vushtrrisë, isha duke e shqyrtuar edhe ofertën e Interit për t’iu bashkuar stafit të Antonio Contes, por nuk u mendova gjatë dhe bëra gati valixhet për të udhëtuar drejt Kosovës, pasi më ka pëlqyer idea që të udhëheqi një skuadër si kryetrajner. Nuk është e lehtë pasi e kam gjetur skuadrën në një gjendje shumë të pa zakontë. Këtu e kam gjetur një skuadër me futbollistë të talentuar dhe të rinj në moshë, por që kanë frikë për të luajtur dhe frikë ndaj kundërshtarëve. Gjëja e parë që kam bërë në këtë skuadër, është motivimi për të luajtur futboll dhe të kenë guxim për përballjen me kundërshtarët dhe që të zhvillojmë lojë sulmuese. Loja sulmuese është filozofia ime”, ka thënë Toma. /Sport Ekspres/