Rrëfimi i 18-vjeçarit, Deliaj: Tirana maksimumi për çdo lojtar

0

 

Vlonjati i talentuar që po aktivizohet si titullar tregon për aventurën e tij te bardheblutë, nga marrëdhëniet me trajnerin Daja, shokët e ekipit te “ethet” e debutimit. “Ime më nuk më ka parë kurrë duke luajtur, nuk i përballon dot emocionet”

Andi TANKU

Vëmendja që Tirana u ka dhënë lojtarëve të rinj në këtë sezon ka qenë maksimale. Aktivizimi i futbollistëve të Akademisë ka qenë dhe mbetet një objektiv i trajnerit Daja, por dhe klubit bardheblu. Një ndër lojtarët që së fundmi ka dalluar me paraqitjet e tij ka qenë edhe Fjoralb Deliaj. 18-vjeçari nga Vlora debutoi me Tiranën në takimin e javës së 26-të të Superiores, kur hyri nga stoli në sfidën ndaj Vllaznisë, ndërsa me Kukësin u aktivizua si titullar.

-Si ka qenë kjo periudhë për ju, jeni aktivizuar me ekipin e parë të Tiranës, na e përshkruani pak, si jeni ndierë nga kjo eksperiencë?

-Të them të drejtën, në ndeshjen e parë që jam aktivizuar nuk kisha shumë emocione. Por, kundër Kukësit, sfidë të cilën e startova si titullar, e pranoj, kisha shumë emocione.

-Çfarë ndjeve në momentin kur trajneri Daja të komunikoi vendimin se do të ishe titullar kundër Kukësit?

-Më lajmëroi disa ditë para ndeshjes, gjatë seancave stërvitore në prag të atij takimi. Sigurisht që ndjeva kënaqësi kur mora besimin e trajnerit për të qenë në formacionin bazë. Gjatë sfidës më kanë ndihmuar shumë edhe shokët e ekipit, sidomos kapiteni Karabeci dhe portieri Bakaj, të cilët më orientonin dhe inkurajonin vazhdimisht.

-Pse keni zgjedhur Tiranën për të vijuar karrierën tuaj si futbollist?

-Prej një viti jam pjesë e skuadrës U-19 të Tiranës. E gjykova se ishte zgjedhja më e mirë për mua të përfaqësoja ngjyrat e këtij klubi të madh të futbollit shqiptar.

-Kush ndikoi në këtë zgjedhje?

-Askush në veçanti. Ishte dëshira ime të luaja me Tiranën dhe pasi bisedova me familjen, e vendosa se kjo ishte më e mira për mua.

-Si e ka pritur familja juaj këtë hap tuajin në karrierë, tashmë që jeni duke u aktivizuar me ekipin e parë të Tiranës?

-Kanë qenë shumë të emocionuar. Babai më ka ndjekur në stadium, ndërsa imë më jo, madje as përmes televizorit nuk më ka parë, sepse nuk i përballon dot emocionet (qesh).

-I ke kërkuar ndonjëherë të të shohë duke luajtur?

-Jo, jo.

-Ke idhull ndonjë futbollist të famshëm, ndoshta një model për të ndjekur?

-Nuk është se kam ndonjë idhull, por më pëlqen Serxhi Buskets i Barcelonës.

-Lidhur kjo, edhe nga pozicioni juaj natyral?

-Po, sepse unë luaj si mesfushor qendre, por aktualisht te Tirana po aktivizohem si mbrojtës, për vetë nevojën që ka skuadra në atë rol.

-Në fakt, nuk ke qenë lojtari i vetëm i akademisë së Tiranës që je aktivizuar me ekipin e parë…

-Po. Peçi, Halili, Mumajesi gjithashtu kanë debutuar, po ashtu si edhe unë. Kjo është një meritë e trajnerit Daja që beson te ne, por edhe e klubit, që i jep përparësi futbollistëve të rinj.

-Si janë marrëdhëniet tuaja me trajnerin Daja?

-Mjaft korrekte. Më motivon, edhe gjatë seancave stërvitore dhe gjatë ndeshjeve. Me pak fjalë edhe me mua ka marrëdhënie të atilla, ashtu siç i ka edhe me lojtarët e tjerë të ekipit.

-Me cilin prej shokëve të skuadrës ke krijuar më tepër familjaritet?

-Me të gjithë kam marrëdhënie korrekte, por më tepër me portierin Bakaj, me Malajn, Papën dhe Idrizajn, që e kam edhe patriot (qesh).

-Të kalojmë pak te ndeshja kundër Tërbunit, si pritet kjo përballje te Tirana?

-Jemi përgatitur për këtë takim. Mendoj se edhe situata në ekip është më e mirë se në ndeshjet e kaluara për faktin se disa futbollistë tashmë kanë lënë pas dëmtimet dhe do të jenë gati për këtë sfidë. Shpresojmë të marrim tri pikët, sepse na duhen shumë, për vetë objektivat që kemi për këtë sezon, arritjen e Europës.

 

2 NDESHJE

Fjoralb Deliaj është aktivizuar në dy takime me Tiranën, kundër Vllaznisë 30 minuta, i hedhur në lojë nga stoli dhe si titullar kundër Kukësit në sfidën e fundit zhvilluar në “Selman Stërmasi”.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.