Rrëfimi emocionues, largimi mes lotëve i Kashamit

0

Ndriçim Kashami është larguar nga Besëlidhja. Arsyet i tregoi një ditë më parë edhe për “Sport Ekspres”, ndërkohë që së fundmi ka bërë edhe një postim në rrjetet sociale. Tekniku kavajas tregon emocionet e ndarjes me lojtarët e tij.

“Ndarja dhe përqafimi deri përlotje sot me djemtë e ekipit më vuri në vështirësi. Sigurisht që e kishin lexuar mesazhin që dukej në fytyrën time. Kokat i kishin ulur sa që nuk u dallohej as dhe fytyra, ndoshta ngaqë janë burra dhe nuk donin të tregonin sytë e përlotur. Gjithsesi po tentoja të kontrolloja zërin. Këtë e bëja për të përmbajtur lotët, nuk më takonte të tregohesha emocional, megjithëse nuk ishte e mundur të ndalohej”, shkruan Kashami.

Më tej ai shton: “Në futboll askush nuk është i sigurt për rezultatin dhe kjo nuk përbën mëkat. Kam dëgjuar që trajnerin e duan vetëm ata që luajnë në formacion, por nga eksperienca ime kam përjetuar që janë përlotur edhe rezervat me largimin tim. Çfarë ndjesie kur gëzon dashuri dhe respekt maksimal nga ata që ti i trajnon. Djem të mrekullueshëm, mirëkuptim perfekt, trajnim i cili nuk më bënte ta ndjeja fare lodhjen e udhëtimit të përditshëm, skema të realizuara mjeshtërisht, një intensitet pune europian i gërshetuar me zbavitje, një rivalitet i pa parë, një harmoni e lartë, një dashuri në kufijtë e vëllazërores. Ky është privilegj”.

Në fund ka edhe falënderime. “Falënderoj pa masë presidencën, që më besoi stafin tim mjaft profesional dhe besnik, djemtë e mrekullueshëm të ekipit. Nuk më besohet që nuk do punoj më me ju. E di që bashkëpunimi jonë ka shkuar në nivelet e paharrueshmerisë. Mos harroni që kemi qenë realisht kampionë të lartë të profesionalizmit. Por ky është futbolli, që ‘vret’ kampionë, ‘vret’ dhe ëndrra. Kemi Zotin me vete do të thotë ‘jemi kushdo e kemi gjithçka’… Jam i lumtur që nuk do ta harrojmë kurrë njëri-tjetrin. Faleminderit ZOT”, shkruan Kashami në llogarinë e tij në “Facebook”.

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.