Rrëfehet Rashica: Bundesliga super, erdha për t’i dhënë gaz!

Talenti shqiptar firmos deri në korrik të vitit 2022. Vitese përfiton 7 mln euro. “Bundesliga një ligë top, e kam ndjekur shumë. Në Bremen, filozofia e lojës që praktikoj. Hap i madh në karrierë”

Milot Rashica është një futbollist i Verder Bremenit. Talenti 21-vjeçar ka firmosur me klubin e famshëm gjerman dhe kalon në Bundesligë.  Anësori ofensiv i Kosovës, i cili ka shkëlqyer te Vitese në dy sezonet e fundit, kaloi me sukses kontrollet mjekësore, ndërkohë që firma është hedhur deri në korrik të vitit 2022. Sakaq, vetë futbollisti ka dhënë një intervistë për sajtin zyrtar.

Sa i lumtur je që firmose me Verder Bremenin?

Jam shumë i lumtur që jam një futbollist i Bremenit. Ditët e fundit kanë qenë stresuese për mua, sidomos dita përpara firmës. Jam i lumtur që gjithçka u qartësua tani. Verder është një klub i madh me shumë traditë dhe fakti që do të luaj në një nga ligat më të forta në botë më bën krenar. Eshtë një marrëveshje e madhe për mua.

Je vetëm 21-vjeç, tepër i ri, por ke një eksperiencë të gjërë, pasi ke luajtur disa sezone me Vitesen në Holandë. Nëse kthen kokën pas, çfarë mund të na thuash për karrierën tënde?

Kur lëviza nga Kosova në Arnhem, ishte një hap i rëndësishëm për mua. Sepse vija nga një futboll thuajse amator te një klub profesionist. Tashmë, hapi i radhës quhet Verder dhe është tepër i rëndësishëm.

Çfarë di nga Bundesliga?

Një ligë e rëndësishme. Shumë tifozë, stadiume të mëdha, atmosferë e bukur. Në Kosovë, në shtëpinë e familjes time, e kam ndjekur Bundesligën nga TV.

Objektivi yt me Verder Bremenin?

Mendoj se objektivi im është ai i ekipit, pra të fitojmë sa më shumë ndeshje dhe të ngjitemi në renditje. Në opinionin tim, mendoj se kemi shanse. Kemi qenë të pafat në ndeshjet e shkuara, nga ajo që kam ndjekur në tv. Duhet të punojmë më shumë.

Si do t’ia arrish kësaj? Çfarë futbolli do të na ofrosh?

Më pëlqen që të luajë në hapësira të ngushta dhe të kem guxim të provoj. Mendoj se filozofia e lojës së Verderit përputhet me karakteristikat e mia ofensive. Dua të luaj pjesën time në këtë ekip, edhe pse të gjithë duhet të shkojmë në një drejtim.

Pozicioni ideal?

E shoh veten si mesfushor ofensiv. Në Arnhem kam luajtur në krah të djathtë. Më pëlqen dyluftimi një kundër një dhe shfrytëzoj shumë shpejtësinë. Kjo është ajo që do të bëj edhe te Verder Bremeni. Në kuptimin e plotë të fjalës, do t’i jap gaz (qesh).

Menjëherë, përballje me Shalken në fundjavë. Do të jesh?

Do të ishte fantastike, nuk mund ta imagjinoj këtë debutim, pasi vendos trajneri  në sajë të punës gjatë javës dhe do të bëj më të mirën time.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *