Rrëfehet Luliç: Enver Hoxha, Strakosha dhe miqësia me shqiptarët

0

Anton Cicani

Qëndron në një cep, në këmbë, i mbështetur te muri, duke pritur që të nisë konferenca për shtyp. Duart e kryqëzuara dhe mendja në një tjetër “stacion”… Ndoshta, duke parë Shqipërinë, njerëzit dhe ambientin, vëmendja i shkon te Bosnja e tij, që ka kaluar gjithashtu tranzicion dhe që po e merr veten pak nga pak. E megjithatë, janë djem të urtë, të heshtur dhe fjalëpakë, ato që kanë parë luftën. Senad Luliç është një nga këto: ka lindur në Mostar, qyteti që bashkë me Sarajevon simbolizon konfliktet gjeo-politike, por edhe fetare, të ish-Jugosllavisë së famshme. Aty ku shembja e urës, sot një objekt interesi për turistët, shënoi edhe ndarjen e vërtetë…  Ishte viti i famshëm 1993 dhe bombardimet e Kroacisë bënë që kjo urë e famshme, mbi lumin Narenta, “Stari Most”, “ura e vjetër”, të kthehet në një konfirmim se Pavarësia, në këto anë, është fituar me gjak… Në Jablanica, i vogli Senad kalon disa nga momentet e fëmijërisë. Nuk dilte nga shtëpia, sepse frika ishte e madhe për ndonjë plumb qorr apo ndonjë sulm të papritur. Tmerri mbaron në vitin 1994, teksa familja Luliçit ka vendosur që të emigrojë, duke marrë me vete edhe të voglin Senad, për t’i shpëtuar gjakderdhjes. Vendosen në Zvicër dhe aty nis një jetë e re. Pikërisht ajo jetë e cila do t’i dhurojë lumturinë më të madhe, pasionin për futbollin. Një histori paralele me atë të shumë futbollistëve shqiptarë, familjarët e të cilëve braktisë shtëpitë e tyre për një jetë më të sigurt. “Karriera ime nisi në Koria, me të rinjtë, ndërsa më pas u transferova në Belinzona (ku edhe njihet me Vladimir Petkoviç, që e merr edhe te Lacio më pas). Sigurisht, kam njohur shumë shqiptarë gjatë asaj kohe, madje me disa kam ende kontakte”, do të rrëfejë ai për “Sport Ekspres”… E ndërsa qëndron ashtu, i heshtur, në sytë e tij e dallon se sa ka vuajtur, por ia ka dalë.

Diktatori – Më pas, kurioziteti i vërtetë qëndron në një foto në trenin, gjatë një transferte të Lacios. Luliç qëndron ulur pranë Miroslav Kloses, që fëmijëve i ka vendosur emra shqiptar. Në dorë mban librin “Enver Hoxha”, shkruar nga Blendi Fevziu, me fakte të jetës së diktatorit të Shqipërisë për 40 vjet. E ka hapur në mesin e tij, ndërsa dikush shkrep foton… “Por, nuk ishte Lorik Cana…”, thotë ai për “Ekspres”. Ndërkohë, shpjegon se me “Lorikun na ka lidhur një miqësi e ngushtë, sigurisht, por në Romë dhe në stërvitjet e Lacios shpesh kemi parë shqiptarë që na ndjekin. Pa harruar faktin që drejtori ynë sportiv është Igli Tare”.

E megjithatë, pyetja apo kurioziteti lidhur me atë libër mbetet i gjithi për t’u shuar: “Ju tregoj se si ndodhi… Ishte duke e lexuar Cana, gjatë rrugës, por sapo e pyeta dhe më tha se bëhej fjalë për diktatorin e vetëm të kohës së komunizmit në Shqipëri, ia mora prej dore… Dhe pse, s’kuptoja asgjë, sinqerisht. Shikoja se si ishte bërë libri dhe ilustrimet, por natyrisht që më pas nisa të lexoj diçka mbi jetën e tij. Më bëjnë kurioz këto gjëra, sinqerisht”.

E ndërsa tregon, i kujtoj debutimin e Thomas Strakoshës, vetëm disa ditë më parë, në Palermo ndaj Italisë: “E pashë, e pashë! Ndeshje e bukur. Strakosha është një djalosh i zoti dhe e meriton plotësisht që të luajë. Mendoj se është rritur shumë shpejt. Të rinjve i duhet dhënë një dorë. Mendoj se keni një portier i cili do t’iu shërbejë për shumë kohë. Më vjen mirë për të, sepse ka punuar shumë. Ishte edhe me fat, pasi u largua Berisha? Sigurisht, por në futboll duhet të shfrytëzosh mundësitë”.

Shqipëria – Në konferencën për shtyp të dhënë përpara medieve, Senad Luliç ka folur mirë edhe për Shqipërinë, duke u shprehur se “kuqezinjtë kanë bërë progres të rëndësishëm.  Jam i lumtur që do të zhvillojmë këtë miqësore ndaj një ekipi cilësor si Shqipëria. Në vitet e fundit kanë bërë progres dhe do të jetë një ndeshje e rëndësishme por edhe shumë e vështirë. Ne kemi në radhët tona shumë lojtarë që luajnë në Serinë A, por njëkohësisht edhe kundërshtari ynë. Do të jetë një ndeshje interesante, është gjithmonë e këndshme të luajmë në Shqipëri, kishte një atmosferë të shkëlqyer kur luajtëm këtu disa vite më parë dhe shpresoj të jetë e tillë edhe këtë herë”.

E ardhmja – Në fund, përpara se ta mbyllë, ai shprehet edhe mbi të ardhmen, duke lënë gjithçka në mister: “E ardhmja te Lacio? Të shohim, nuk e di akoma”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image