Rrëfehet goleadori Bozgo: Nga Tomori te Kombëtarja, si firmosa direkt me Mariborin!

Ish-sulmuesi beratas, Kliton Bozgo, tregon karrierën e tij: Ëndrra nisi kur mblidhja topat pas porte. Shkolla e mjeshtërisë më forcoi, rrobat i lanim vetë dhe flinim 25 vetë në kapanon

0

Edi Spahiu

Kliton Bozgo, ish-sulmuesi i njohur beratas, ka rrëfyer për “Sport Ekspres” karrierën e tij të gjatë, nga hapat e parë me Tomorin e deri te firma me Mariborin në Slloveni dhe thirrja në Kombëtare. Vështirësitë që ka pasur gjatë rrugës dhe fati që e ka ndihmuar të takojë dhe të punojë me njerëz të mëdhenj të futbollit. Ja intervista e plotë e Bozgos:  

– Çfarë kujtoni nga fëmijëria juaj dhe kontakti i parë me futbollin?

– Kam pasur një fëmijëri shumë të bukur e të lumtur, kemi pasur një familje të madhe. Kisha fat, sepse midis apartamenteve ishte një oborr, që shpejt u kthye në fushë futbolli. Vetëm 50 metra larg ishte stadiumi i vjetër i Tomorit, ku bënte stërvitje ekipi. Çdo ditë shkoja të shikoja stërvitjen dhe bashkë me shokë të tjerë kapnim topat pas porte. Këtu filloi ëndrra ime për futbollin.                                                       

– Si ndodhi, që u futët në shkollën e futbollit në Berat, çfarë mbresash keni nga trajnerët e parë, Njazi Shehu dhe Mandi Xhamo?

– Janë dy trajnerë të mëdhenj të futbollit beratas, u jam mirënjohës, pasi kanë meritë të jashtëzakonshme për karrierën time dhe qindra lojtarëve beratas. Njazi Shehu dhe Mandi Xhamo bënin ndeshje në të gjitha shkollat fillore të Beratit dhe aty seleksiononin talente. Luajta një ndeshje te fusha ndihmëse pas stadiumit të vjetër dhe pas saj më pranuan. Nga shkolla “22 Tetori”, kalova te shkolla sportive “1 Maji”, deri sa mbarova klasën e tetë. Ka qenë një periudhë e shkëlqyer, ku organizimi i shkollës dhe stërvitjes kanë qenë në një nivel shumë të lartë.

– Në kampionatin midis shkollave të futbollit në Lezhë, si ishte paraqitja juaj?

– Në Lezhë zhvillohej kampionati midis shkollave të gjithë Shqipërisë. Ne shkuam në finale, ku luajtëm ndaj Lezhës, që kishte në ekip lojtarin më të mirë dhe më vonë shokun tim të Kombëtares, Bledar Kolën.

– Më pas kaluat në shkollën e mesme të mjeshtërisë sportive. Sa ju ndihmoi kjo shkollë, me cilët trajnerë keni punuar aty?

– Pas normave që duheshin dhënë te stadiumi “Dinamo” në Tiranë, mes një konkurrence të jashtëzakonshme nga gjithë Shqipëria, arrita ta fitoja shkollën e mjeshtërisë. Në fillim ishte shumë vështirë, flinim 20-25 veta në kapanon. Rrobat e tërvitjes i lanim vetë, por prapë nuk ankoheshim dhe ndihmonim njëri-tjetrin. Kjo gjë na forcoi më shumë, shkolla e mjeshtërisë nxori shumë talente që më vonë luajtën në Kombëtare dhe ne klube të mëdha jashtë vendit. Ka qenë një shkollë e organizuar shumë mirë dhe ka pasur trajnerë e mësues të një niveli shumë të lartë. Kam pasur fatin të stërvitem nga trajnerë si Mehmet Spahiu, Ramadan Shehu, Besnik Çela, Bujar Kasmi etj. Shkolla e mjeshtërisë ishte një bazë shumë e mirë për formimin si sportist dhe si njeri. Kanë qenë vite shumë të bukura.    

– Pas shkollës në Tiranë, erdhët te Tomori. Ju kujtohet momenti kur u bëtë pjesë e skuadrës se parë, që kishte emra të mëdhenj të futbollit beratas?

– U ktheva në shtëpi, sepse vitin e parë nuk fitova dot bursën për në Fakultetin “Vojo Kushi”. Kthimi te Tomori, tek ajo fushë, ku më parë kisha mbledhur topat, ishte si një ëndërr e bërë realitet. Kisha fatin e madh që trajnerë të Tomorit ishin dy legjenda të futbollit beratas, njerëzit që ndikuan më shumë në karierën time, Guxim Mukli dhe Andrea Xheblati. Konkurrenca ishte shumë e madhe. Në sulm ishte i madhi Përparim Kovaçi, lojtari i Kombëtares Ben Arbëri, lojtari i Shpresës Edmond Voda, Rom Kociani etj. Profesor Guximi donte punë dhe disiplinë, sepse përveç talentit puna dhe disiplina e mbajti Tomorin aq vjet në Kategorinë e Parë. Përveç kësaj, ishin edhe tifozët fantastikë beratas. Mbaj mend që çdo të enjte ishte ndeshja e kontrollit, ku 22 lojtarë ishin në fushë dhe 11 të tjerë vrapon rreth fushës, duke pritur fatin e tyre.

– Si punonit në atë kohë, ju kujtohen golat e parë me Tomorin?

– Bëja stërvitje tri herë në ditë dhe prisja shansin tim. Golin e parë e shënova për kupë, në Burrel, ku fituam 0-1, kurse për kampionat e shënova në Kavajë, ku fituam 2-3. Kisha fatin e madh, sepse luajta dhe mësova shumë nga Kovaçi dhe Arbëri. Tomori në atë kohë kishte lojtarë që sot mund të luanin në çdo klub të Europës, si vëllezërit Kokalari, Kiço Mile, Dume, Çaushllari, Gega, Zëre etj.

– Ndonjë moment që ju ka mbetur në mendje?

– Një moment emocionues për mua ishte kur Përparim Kovaçi i dha lamtumirën futbollit dhe mora fanellën me numër 10 të ikonës së futbollit beratas. Ishte një gëzim shumë i madh, por gjithashtu dhe një përgjegjësi shumë e madhe, sepse duhej vazhduar tradita e golashënuesit. Për gati tre sezone me Tomorin dola një herë golashënues dhe arrita të shënoj mbi 50 gola. Kjo më krijoi mundësinë të afrohesha me Shpresat, më vonë edhe me Kombëtaren.

– Pas Shpresave erdhi grumbullimi juaj i parë me Kombëtaren e madhe…

– Me Shpresat kishim një gjeneratë fantastike, me trajnerë Bahri Ishkën dhe Sulejman Starovën. Barazuam me Francën në Berat, 0-0. Dhe me Francën në atë kohë luanin Lizarazu dhe Loko, të cilët pas disa vitesh dolën kampionë bote. Fituam me Islandën dhe u mundëm në minutën e fundit në Spanjë. Në sulm ishin Rraklli, Tare, Stroni, Sina dhe Paço, pra futbollistë shumë të talentuar, të cilët bënë karrierë edhe jashtë vendit.

– Cili trajner ju bëri ftesën dhe cila ishte ndeshja juaj e parë? – I pari më dërgoi ftesën profesor Bejkush Birçe. Ishte ndeshja që luajtëm në Greqi, ku fituam 2-0, me dy gola fantastikë të mjeshtrit Sokol Kushta. Më pas më ftuan Neptun Bajko dhe Astrit Hafizi. Ndeshja ime më e mirë ka qenë ajo me Bullgarinë në Tiranë, 1-1. Në atë kohë Bullgaria erdhi pas Botërorit, ku kishte zënë vendin e katërt. Jam aktivizuar si mesfushor i majtë dhe kam pasur një duel shumë të fortë gjatë gjithë ndeshjes me Leçkov.

– Nga Kombëtarja u larguat para kohe dhe flitet se keni pasur një debat me ish-trajnerin Astrit Hafizi pas ndeshjes me Ukrainën në Spanjë, në vitin 1997. Çfarë ndodhi konkretisht?

– Grumbullimi në Granada ka qenë i vështirë. Për shkak të gjendjes në Shqipëri, kemi luajtur në Spanjë me Ukrainën, që kishte lojtarë klasi, duke nisur nga Shevçenko, ndërsa Gjermania kishte Klismanin, Birhofin, Kirshtenin etj. Për çdo lojtar Kombëtarja është kulmi i karrierës, gjithashtu nder dhe privilegj. Nuk ka rëndësi mosha kur të thërret Kombëtarja, duhet të jesh gjithmonë gati, gjërat e tjera nuk dua t’i komentoj.

– Kliton, u bëtë i famshëm pas kalimit në futbollin slloven. Si ndodhi ai kalim. Kush ju ndihmoi për atë lëvizje?

– Më ka ndihmuar trajneri Edmond Gëzdari. Kemi shkuar me mikun tim Besnik Prenga te Dinamo e Zagrebit në provë. Te Dinamo ishin Vlahoviç, Cvitanoviç, Ladiç etj, trajner ishte Vlatko Markoviç. Kemi luajtur me të rinjtë kundër ekipit të parë. Luajtëm shumë mirë. Ata donin 4 vjet kontratë, kurse ne donim më pak. Ante Çaçiç ishte trajner në Dubravë dhe na ofroi të luanim atje. Luajtëm për një vit dhe kemi thirrur edhe Kombëtaren tonë në Zagreb për një ndeshje miqësore, që përfundoi 0-0. Nga Dubrava shkova për provë në Duisburg, në Gjermani, ku trajner ishte Linen. Ata mbetën të kënaqur dhe ishin gati të nënshkruanim një kontratë të mirë, por menaxheri që na rregulloi provën, nuk ra dakord për kushtet dhe e prishi gjithë punën. Doli varianti i provës te Maribori, shkova luajta një ndeshje dhe pas saj firmosa kontratën. Kështu filloi historia ime në Slloveni.

– Maribori dhe Olimpia e Lubjanës. Si e keni ndarë kohën me këto dy skuadra dhe çfarë keni fituar me to?

– Me Mariborin kam luajtur 4 vjet e gjysmë, me ndërprerje. Me Olimpian kam luajtur 3 vjet e gjysmë. Kam dalë dy herë golashënuesi më i mirë, me 29 dhe 19 gola. Jam golashënuesi i tretë në historinë e futbollit slloven. Për Mariborin kam shënuar 110 gola në 179 ndeshje, kam fituar dy tituj dhe dy kupa. Një titull dhe një kupë i kam fituar me Olimpian. Kam luajtur në Kupën e Kampionëve me Mariborin. Çdo vit kemi luajtur ndeshje kualifikuese në Europë. Gol i veçantë për mua është ai në Dortmund kundër Borusias, që shkoi deri në finale. Ekipit të Normës Talin i shënova 4 gola në Maribor.

– Cilët janë disa nga futbollistët e mëdhenj sllovenë, me të cilët keni luajtur dhe keni miqësi?

– Kam punuar në Federatën e Sllovenisë dhe njoh shumë lojtarë sllovenë. Me presidentin e UEFA-s, Aleksandër Ceferin, kemi luajtur disa herë bashkë në ndeshje miqësore. Futbollistë shqiptarë ka pasur shumë në Slloveni, si Çaushllari, Çipi, Silo, Dema, Paço, Dragusha, Kolari, Ibrahimi, Mëhilli, Milori etj.

– Falë suksesit tuaj, u diskutua atëherë se, nëse s’do të kishit luajtur me Shqipërinë, do të luanit me Slloveninë?

– Po, kanë pyetur në atë kohë në Slloveni për këtë çështje, por nuk ishte e mundur.

– Kur u tërhoqët përfundimisht nga futbolli, me secilën skuadër?

– Si futbollist profesionist, u tërhoqa në 2007-ën, në moshën 37-vjeçare, por luajta disa vite edhe në disa klube jo profesioniste në Austri.

– Tani po vazhdoni karrierën e trajnerit. Çfarë licence keni dhe çfarë synon Kliton Bozgo në këtë detyrë të re?

– Kam mbaruar shkollën për trajner dhe kam licencën UEFA PRO, që është e vlefshme në gjithë boten dhe të gjitha kategoritë më të larta. Kam punuar në disa klube në Slloveni, kam qenë ndihmëstrajner i Sllovenisë U-17 dhe U-19. Tani jam në Austri.

– Ju keni edhe pasaportën sllovene, krahas asaj shqiptare. A mendoni se një ditë do të ktheheni për të drejtuar Tomorin apo ndonjë ekip shqiptar?

– Të bëhesh trajner i ekipit të zemrës, ekipit që më bëri futbollist, është gjithmonë një ëndërr. Ekipin e zemrës dëshiron ta shikosh gjithmonë mirë e më mirë, por le t’ia lëmë kohës, sepse nuk i dihet. Ja, Besnik Prenga mori Lacin, Millosh Kostiç, me të cilin kam luajtur te Lubjana, mori Luftëtarin, jetës nuk i dihet.

– Për ju, cilët do të ishin disa nga trajnerët dhe futbollistët më të spikatur në futbollin shqiptar, por edhe idhujt tuaj në futbollin ndërkombëtar?

– Ka shumë ish-lojtarë, miq dhe shokë të futbollit, që janë të suksesshëm pas karrierës dhe jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë vendit. Në kohën time idhujt kanë qenë Van Basten, të cilin e kam takuar në Herenven. Ka qenë edhe Maradona, tani është Mesi.

– Diçka për mbështetjen që ju ka dhënë familja juaj. Sa vend ka ajo në sukseset e Klitonit si futbollist?

– Familja është gjithçka, pa ndihmën e familjes është shumë vështirë të kesh sukses. Kam fatin që kam një nënë, që ma ka falur Zoti, nusen, djalin. Gjyshërit i kam pasur gjithmonë si shembull.  

– Është e natyrshme një pyetje për Botërorin Rusi 2018, që fillon së shpejti. Kush e fiton trofeun he “Këpucën e artë”, sipas jush?

– Ekipi më i kompletuar është Brazili. Pas tij vijnë Spanja, Argjentina, Gjermania, por mund të kemi dhe ndonjë ekip surprizë.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.