Roshi bën dhe “zhbën”, në Strumica barazim me pengje!

Nuk ka fitues. Në një ndeshje të tensionuar, por shumë të shëmtuar teknikisht, dalim të pamundur dhe nuk arrijmë dot fitoren e pestë në grup, apo të përsërisim suksesin në Shkodër, vitin e shkuar. Vetëm barazim dhe shumë pengje në Strumia… Shqipëria del me 1 pikë por jo fort e kënaqur, në një ndeshje ku pas golit të Roshit (super asist i Sadikut) kishim mundësinë për të dyfishuar, por pikërisht sulmuesi i Legia Varshavës gaboi fatalisht vetëm disa hapa larg portës, në një pasim të artë të Ledian Memushajt. Me këtë pikë të arritur, shkojmë në kuotën e 13 pikëve, duke ruajtur vendin e tretë në grup dhe shumë larg vendit të dytë, Italia e Venturës.

Ka qenë një ndeshje me dy fytyra ajo e kuqezinjve, ashtu si ndaj Lihtenshtejnit në “Elbasan Arena”. Pjesa e parë na ka parë shumë konfuzë, teksa Maqedonia ka qenë më kërkuese, me Pandevin protagonist (dy herë Berisha ka reaguar). Por, pas pushimit, ka ardhur edhe goli i Roshit, një aksion model me krosimin e Sadikut në shtyllën e dytë. Pikërisht lojtari që shënoi përpara tri ditësh, gjeti devijimin perfekt me kokë, por më pas ishte shkaktar i një penalltie, pasi e preku me dorë topin që u karambolua te trupi i Ajetit. Për arbitrin suedez penallti, ndërsa Trajkovski do të realizonte. Por, përpara penalltisë, rasti që mund të ndryshonte gjithëka ishte i Sadikut, që gaboi gjithëka. Më pas, në fund, Berisha bëri disa pritje deëizive, duke i thënë “jo” Alioskit dhe Trajkovskit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *