Ronaldo zbut “demin” me golin 5000, por sa polemika në derbin torinez!

“Derby della Mole” nuk prodhon asgjë të re, por vetëm polemika pa fund. Juventusi mund Torinon 1-0 me një penallti të Ronaldos në minutën e 69-të dhe vazhdon marshimin drejt titullit, në një kampionat mediokër, ku sërish rivalët e Juves janë në nivele modeste dhe më shumë zihen kush del i dyti dhe krenohen nëse i marrin ndonjë barazim “Zonjës së vjetër”.

Në një stadium të tejmbushur, me 26.588 bileta të shitura, Juve shënoi golin numër 5000 në Serinë A.

Në fakt, Torino tentoi me çdo mënyrë, edhe për faktin se në lojë është krenaria e pjesës “granata” të qytetit, por sërish nuk ishte e mundur dhe skuadra e drejtuar nga Mazzarri e ka edhe me arbitrin Guida, pasi në minutën e 54-t ish-sulmuesi i Juves Simone Zaza u ndal me faull në zonë, por jo vetëm arbitri, por as VAR nuk denjuan të mendoheshin dy herë.

Pikërisht Zaza bëri gafën që vendosi ndeshjen, sepse sulmuesi ktheu pas te portieri një top të diskutueshëm, tek i cili vërshoi Mandzukic, më i shpejtë se Ikazo (Sirigu ishte dëmtuar në pjesën e parë dhe u zëvendësua) dhe portieri shkaktoi penallti.

Nga pika e bardhë Ronaldo nuk gaboi, edhe pse rrezikoi shumë, sepse Ichazo e preku topin. Kaq mjaftoi, Torino nuk pati forcë të reagonte dhe Juve arkëton edhe 3 pikë, në një ndeshje ku nuk është se bëri gjëra të paharrueshme, përkundrazi, një barazim do të ishte rezultati më i drejtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *