“Ronaldo te Juventusi, firma çështje orësh”

Kristiano Ronaldo do të firmosë për Juventusin “në orët e ardhshme”, siguron sot e përditshmja portugeze Record, që shkruan se transferimi do të kushtojë 100 milionë euro dhe ylli portugez do të firmosë për 4 sezone.

“Gjithçka është ende e hapur, por marrëveshja do të mbyllet në orët e ardhshme”, shkruan Record, që pohon se 33-vjeçari do të firmosë deri në 2022, për një pagë prej 30 milionë eurosh në sezon.

Takimi urgjent i djeshëm mes Florentino Perezit dhe agjentit Zhorzh Mendesh duket se i ka hapur rrugë transferimit, pasi përfundimisht presidenti i Realit u bind se Ronaldo nuk dëshiron të vazhdojë në  Madrid.

Në bazë të një marrëveshjeje të arritur para disa muajsh me agjentin, Ronaldo ka një dokument ku Reali “e autorizon të largohet në rast se një klub, jo rival direkt, paguan 100 milionë euro”. Pikërisht pranimi i kësaj marrëveshjeje nga Reali bëri që në janar Ronaldo të deklaronte: “Nëse vlej 100 milionë, do të thotë që nuk më duan më”

Marrëveshja me Juventusin nënkupton që Fiat do të mbulojë një pjesë të pagës, për të mos rënduar arkat e klubit dhe bilancin për të respektuar fair-play financiar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *