Ronaldo rikthehet në Madrid, milionat e shpëtojnë nga burgu

0

Kristiano Ronaldo është kthyer sot në Madrid, por jo te Reali. Sulmuesi i Juventusit është paraqitur në gjykatë i shoqëruar nga bashkëshortja Xheorxhina Rodrigez për akuzat e shtetit spanjoll për evazion fiskal. Portugezi u akuzua nga një prokuror i vendit iberik se nuk kishte paguar 14.7 milionë euro taksa gjatë periudhës që luante me Realin.

Ylli i bardhezinjve kishte përdorur kompani të ndryshme me seli jashtë Spanjës për të fshehur fitimet nga të drejtat e imazhit. Ronaldo nuk i pranoi akuzat në fillim dhe insistonte në pafajësinë e tij, ndërsa tashmë ka pranuar gjithçka. Ai ka rënë dakord me akuzën për 2 vite burg, ndërsa marrëveshja do e detyrojë të paguajë rreth 19 milionë euro gjoba.

33-vjeçari është lodhur nga kjo histori, madje pretendohet që kjo është një nga shkaqet e largimit të tij nga Reali i Madridit. Florentino Perez nuk e ndihmoi fare në këtë çështje dhe ai zgjodhi të vazhdonte karrierën në Serie A.

Ronaldo nuk do të bëjë asnjë ditë burg, pasi nuk është dënuar kurrë më parë. Gjithçka do të mbyllet me pagimin e 19 milionë eurove, ndërsa pas daljes nga gjykata ai u shpreh shkurt duke buzëqeshur: “gjithçka perfekte”. Në hetimin e autoritete spanjolle kanë përfunduar dhe emra si: Leo Mesi, Zhoze Murinjo, Luka Modriç, Marselo, Aleksis Sançez, Havi Maskerano, Angel Di Maria dhe Radamel Falkao.

I fundit është Ksabi Alonso. Ish-mesfushori akuzohet për fshehjen e 2 milionë eurove taksa gjatë viteve 2010-2012 dhe sot do të dalë para gjykatës. Alonso rrezikon deri në 5 vite burg, ndërsa gjithçka mund të mbyllet me pagimin e 6 milionë eurove (2 milionë të papaguara dhe 4 të tjera në formë gjobe).

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.