Ronaldo Luiz Nazario de Lima, “Fenomeni” që u ndal vetëm nga gjunjët!

0

“Për ta ndaluar duhet t’i shtish”… Do të shprehej kështu Miguel Angel Lotina, trajneri I Logrones, të cilës Ronaldo I shënoi dy gola. Teknikë, fuqi dhe shpejtësi supersonike: për dy vjet, nga viti 1996 në 1998, Roni ka qenë I pambulueshëm, “Fenomeni”, “Jashtëtokësori”. Barcelona, Interi dhe Real Madridi patën benefitin e cilësive të tij. Me Brazilin u bë golashënues I Botërorit, duke fituar dy

 

Nga Anton Cicani

Ndoshta duhet ta kishim publikuar dje, si të gjithë, këtë shkrim, sepse tani ora dhe data e ditëlindjes ka kaluar, por nëse për të shkruar për një ndër futbollistët më të mëdhenj të historisë së futbollit duhet një datë apo ditë e caktuar, atëherë s’kemi kuptuar asgjë nga futbolli dhe sidomos nga nofka “Fenomen”… Sepse, për të shkruar për një fenomen duhet që të bëhet një “fenomenologji”, jo “kronologji”. Ishte e  shkurtër dashuria e Luiz Nazario da Limës me topin, edhe pse dashurinë që ai i ka dhënë do ta kishte pasur zili edhe Ronaldinjo, i cili topin e ka përdorur ashtu si Bethoven ka prekur tastet e pianos… Muzikë dhe futboll. Një lidhje e ngushtë estetike. Njëra të qetëson veshët, tjetra sytë. Nëse, sigurisht, “luhen” ashtu si duhet. Dhe, normalisht, të dridhen duart kur flet për Ronaldon. Mund të quhem me fat që e kam parë, ndoshta të tjerë do të mbajnë mend vetëm një tjetër Ronaldo, Kristiano, por në ndryshim, “Fenomeni” kishte vetëm një “pashaportë”: topin. CR7, përtej faktit që është ndër futbollistët më të mirë në botë, bashkë me Mesin, njihet edhe për aventurat e tij në gossip, jashë fushe, por edhe për linjat e modës, reklamat e kështu me rradhë… Të tjera koha, ato të Luiz Nazario de Limës. Por, të nisim “Fenomenologjinë”…

roni
Gjithcka nisi ne nje futsall…


Bento Ribeiro, lagje ose “favellas” e varfër e periferisë në veri-perëndim të Rio de Zhaneiros. Rruga “114 General Cesar Obino”, 22 shtator 1976… Vjen në jetë Luiz Nazario de Lima, i biri i Sonias dhe Nelio Nazario de Lima, që gjithashtu kanë fëmijë Jone, 4-vjeç dhe Nelinjon, 3-vjeç. E quajnë Ronaldo, emri I doktorit që e ndihmoi të vinte në botë: doktor Ronaldo Valente.  I vëllai i vogël, Nelinjo, që s’di ta prononcojë, e thërret “Dadado”… Pak rëndësi ka, por familja ende nuk është në dijeni që sapo I ka dhënë futbollit një prej më të mëdhenjve dhe sportdashësve një atlet të jashtëzakonshëm.

ron

Lagjet e varfëra të Brazilit s’të ofrojnë asgjë përveç se rrugës… Aty, zbathur (këpucët ishin lluks), nis të shkelmojë topin për të parën herë Ronaldo, “o pelado”, duke u frymëzuar nga legjenda braziliane të futbollit, që gjithashtu s’kanë patur kurrë kushte të mira, por janë mjaftuar të kenë një top. Bota e tyre përmblidhet aty, ashtu si ajo e të voglit “Dadado”. E megjithatë, hapat e parë nisin me “Teniss Club Valquiere”, futboll me pesë.

E çuditshme, por e vërtetë ajo që ndodh me Ronaldon. “Më jepni dorezat, se do të luaj në portë”, i thotë trajnerit. Në mendjen e tij qarkullonte ëndrra për t’u bërë portier i famshëm… Nuk bën për të dhe e kupton ditën kur vendos që të dalë në sulm, pasi skuadra e tij ka nevojë për gola.  Këtu nis legjenda e “Fenomenit” dhe mbaron ajo e një djali ëndërrimtar që vinte nga një familje e varfër e Rio de Zhaneiros. Spektakël për sytë, Roni i vogël i “trajton” kundërshtarët në fushë si birrila, duke poshtëruar edhe të pasurit e Vasko de Gamas. Social Ramos, skuadër e qytetit, por gjithmonë me fushë të vogël, vendos ta marrë. Edhe pse, në kokën e Ronaldos, kur mbyll sytë, është miti “Maracana” dhe fanella e Flamengos veshur.

ronaldo
Duke luajtur ne Brazil

 

E ëndërron kaq gjatë saqë siguron, me shumë sforco, një provë te Flamengo. Dita e madhe, nëna Sonia i vendos në dorë një orë dhe ai niset me tren drejt… ëndrrës. Ora nuk shkon me të te Flamengo, pasi në tren dy hajdutë ia vjedhin. Por, e keqja s’ka fund. Ronaldo fiton provën, por Flamengo s’mund t’i pagujë biletën e trenit apo të gjashtë autobuzave që lidhin Bento Ribeiro me Gavean, për stërvitjet. Varfëria nuk është një gjë e keqe, por të heqësh dorë nga ëndrrat që ke merituar, kjo po: këtë mëson me dhimbje “Dadado”.

Në moshën 11-vjeç luan me San Kristovao dhe golat nuk mungojnë. Saqë, një bankier me emrin Aleksandre Martins, “gjuetar” talentesh në kohën e lirë, i thotë të shokut Reinaldo Pita: “Kam gjetur një të madh…”… Duke blerë kartonin e Ronaldos për vetëm 7500 dollarë.

rom

Eshtë intuita që do t’i japë frytet përgjithmonë. Do t’i quajnë “Macja dhe Dhelpra”… E mbani mend përrallën e Pinokios?! E pra, macja dhe dhelpra janë dy personazhet që bindin Pinokion se duke futur një monedhë nën tokë ajo do të mbjellë të tjera…  Pra, “macja dhe dhelpra” e çojnë Ronin te Kruzeiro e Belo Horizontes, zonë minierash, ideal për të rafinuar talentin dhe potencialin e tij. Djaloshi i prezantohet të ëmës, Sonia: “Të lutëm, mama, mjaft më thërritët Dadado. Nga sot jam futbollist i vërtetë, jam 16-vjeç”. Më të mëdhenjtë e mbajnë afër, jo vetëm sepse është i dashur dhe i urtë, por sepse kuptojnë se e ardhmja do të flasë për të: në fund të sezonit 1993-94 numrat thonë se mes kampionatit, kupës së Brazilit dhe ndeshjesh të tjera, “në thes”, Roni ka koleksionuar 54 ndeshje dhe 56 gola. Pesë në një ndeshje të vetme që në Belo Horizonte nuk do të harrojnë. Zhairzinjo, legjenda e Seleçaos, drejtori sportiv I Kruzeiros shpjegon: “T’I japësh topin Ronaldos është sikur të kesh shënuar gjysmë goli”. Në pankinë është një tjetër botëror meksikan: Karlos Alberto. Pele thërritet në këtë krahasim, sepse djaloshi me tela te dhëmbët debuton vetëm 17-vjeç ndaj Argjentinës: ekzaktësisht si “O’Rei”, ose “Mbreti”.

roniii
Kupa e pare e Botes me Brazilin, edhe pse jo si protagonist, nuk harrohet

Karlos Alberto Pareira e merr me vete në SHBA djaloshin nga Bento Ribeiro, që “përkundet” nga një komb I tërë, I dashuruar me futboll më shumë se sa me çdo gjë tjetër në jetë. Edhe për këtë, gjithë Brazili I thërret “Gomar!”… Pareira mund në finale me penallti Italinë dhe “Gomari” bëhet një kalë I gjakut mbretëror për t’u dorëzuar në histori. Në foton e trofeut, Ronaldo ndodhet I shtrirë në tokë, nën kupën, i lumtur, me në krah Romarion. Macja dhe dhelpra, dy agjentët e tij, ia shesin PSV Eindhovenit, ish skuadra e Romarios që kalon te Barcelona e madhe. “Çfarë ka në Eindhoven?”, pyet Ronaldo. “Ftohtë”, I përgjigjet Baizinjo. “Pastaj?”, “Philips”. “Pastaj?”, këmbëngul Ronaldo. “Kaq! I ftohti dhe Philips”, pret shkurt Romario.

 

Një natë, në fund të stërvitjes, futbollistët e PSV shohin brazilianin që heq një çorape pas një tjetër dhe, në fund, do të jenë dhjetë. Ftohtë te këmbët, ftohtë në zemër: Eindhoveni është e kundërta e Rios de Zhaneiros. Njësoj si peshkut t’i thonë noto në tokë… E ëma mobilizohet dhe udhëton deri në Holandë. Të paktën të mos i mungojë kuzhina braziliane.

Në kampionatin e parë holandez, Ronaldo shënon 30 gola në 32 ndeshje. Te çdo gol, tifozët e motivojnë me një thirrje: Rrrrrrrronaldo! Braziliani buzëqesh, sepse nis t’i mësohen veshët. Nuk ka turp nga pamja e tij, me tela në dhëmbë, sepse lumturia me topin në këmbë dhe… rrjetë, është më e madhe se pamja e tij fizike.

ronaldo1

Në pranverën e vitit 1995 shkon të bëjë shopping në Milano dhe, përmjet agjentit Xhovani Brankini, i shtrëngon dorën Masimo Moratit për të parën herë. Hera e parë bëhet edhe diçka tjetër: raporti me klinikat. Në shkurt 1996 bisturia prek gjurin e tij të djathtë. E logjikshme, thonë mjekët. Ronaldo peshon 80 kg dhe 183 cm. Shumë shpejt do të bëhet “fenomeni” i Barcelonës.

Koha për të bërë fjale me PSV, për të humbur në gjysmëfinalen olimmpike të Atlantës kundër Nigerisë së Kanusë, dhe ja që shihet në Katalonja, vera e vitit 1996. Në La Liga numrat janë të pabesueshëm: 12 gola në 10 ndeshjet e para. Goli ndaj Kompostelës mbetet i stampuar në kujtesën e atyre që ishin në stadium: minuta 35, i rrëmben topin kundërshtarit dhe nga mesfusha përshkruan 47 metra në 11 sekonda, e prek topin 14 herë dhe kalon 5 kundërshtarë, duke e depozituar në rrjetë. Boni Robson, trajneri i Barçës, në vend që të festojë, frikësohet: “Si është e mundur?”. Ronaldo, më pas, fluturon në Brazil, i shënon 3 Lituanisë, kthehet t;’I shënojë 2 Logronesit. Ndaj: 7 gola dhe dy udhëtime transoqeanike në 7 ditë. “Jashtëtokësori”, shkruajnë mediet spanjolle… Sigurisht, këto vitet e fundit jemi mësuar ta shohim për Mesin, këtë titull, por “E.T” i parë në Spanjë ishte ai, Ronaldo Luiz Nazario de Lima.

E mbyll La Ligan me 34 gola në 37 ndeshje. Në finalen e Kupës së Kupave ndaj PSG, shënon golin deçiziv. Ngre edhe Kupën dhe Superkupën e Spanjës. Kaq I mjafton të marrë çmimin si FIFA Ëorld Player ’96: 20-vjeç, ish-portieri, është futbollisti më I fortë në botë.

Këtu, momenti për të fituar “disa të holla” dhe “macja dhe dhelpra” rifuten në lojë.  Ronaldo zbarkon në Milano. Eshtë 25 korrik 1997, në Shqipëri ka pak muaj që kanë nisur trazirat dhe futbolli është gjëja e fundit që na shkonte ndër mend. Ora 8:10.. Në Milano mbërrin një djalosh I imët, me vath, xhinse dhe këmishë me kuadrate. Mban për dore Susana Verner, modele, aktore.

ronaldo2
Barcelona dhe Brazil, viti i arte vazhdon…

Qëndrojnë në suitën e “Principe di Savoia”, që disa ditë më parë ka pritur Lady Dianën (e ndarë nga jeta tragjikisht në një aksident automobilistik vite më vonë). Më 12 shtator, tifozët e Interit nisin ta njohin me vepra dhe jo në foto: ndaj Bolonjës shënon golin e parë në Serinë A. Një muaj më pas, tripletë ndaj Piaçencës, në Kupën e Italisë. Driblime, slalome, lëvizje të çmendura, inkursione dhe vrapime supersonike. Stadiumi dhe tifozët kanë gjetur dashurinë e jetës. Strategjia është e njëjtë sin në Spanjë: gola të mrekullueshëm për të fituar publikun, ndërsa disa pyesin: si ka mundësi që Barcelona e lëshoi kaq lehtë?! Mistere të jetës. “Fenomenin” e kemi ne, nisin koret zikaltër. Ka ardhur njeriu që mund të ndryshojë historinë. Juventusi dhe Milani nisin ta njohin gjithashtu si Roma, ndërsa Kandela, që sapo ka pësuar katër gola ndaj Interit, shprehet: “Thërrisni karabinierët, ndryshe ky nuk ndalet”. E ka fjalën për Ronaldon, që I ka shënuar edhe Milanit në derbi më parë.

Eshtë viti i mirë, sipas asaj që duket. Tre ditë pas dopietës ndaj Romës, Roni shënon një tjetër në Moskë, në një fushë që ta quash kështu është një compliment: akull dhe baltë. Të duket Jezu Krishti që ecën mbi ujë, por Ronaldo edhe driblon dhe shënon. Interi në finale të Kupës UEFA. Duket sikur do të fitohet gjithçka.

ronaldo3
Shperthimi me Inter, Kupa UEFRA, demtimi dhe Brazili

Më 26 prill 1998  ndodh ajo që s’duhet të ndodhte. Luhet Juve-Inter: bardhezinjtë janë +2 pikë përpara, kur duhen edhe katër javë nga fundi. Del Piero çon në avantazh “Zonjën”, më pas shpërthen Ronaldo. Iuliano e provon të ndalojë dhe e bën këtë gjë, duke i  vendosur trupin si një faull taktik në basketboll. Për arbitrin Cekarini, dhe shumë pak të tjerë, nuk është penallti. Xhixhi Simoni shpërthen dhe e ndjek arbitrin këmba këmbës pas ndeshjes: “Të të vijë turp nga vetja!”.. Ronaldo shton dozën: “Ndihem sikur sapo më kanë vjedhur. Futbolli dhuron harmoni dhe gëzim 11 kundër 11, jo 11 kundër 12. Por, bota e ka parë”. Roni, Simoni dhe gjithë të tjerët ngushëllohen në Paris, në sallën e “Parc de Princes”, duke ngritur Kupën UEFA: 6 maj 1998, Inter-Lacio 3-0, finalja.

 

Fenomeni vendos vulën, si gjithmonë, në mënyrën e tij: e nis nga mesi i fushës dhe shtrin Markexhanin me një finte, duke realizuar golin e 34 sezonal. Morati vendos gjoksin përpara: “Ronaldo është një enciklopedi që vetëm ne mund të shfletojmë”. Të gjithë të bindur se me një lojtar klasi të tillë, e ardhmja do të shndërrisë më shumë se sa Parisi.

Por, Botërori 1998, që Ronaldo humbet në finale ndaj Francës, me një episod që edhe sot përfshin një mister të pazbuluar (u ndje shumë keq dhe rrezikoi vdekjen një natë përpara finales), e fut në tunelin më të gjatë dhe të dhimbshëm, plot katër vjet. Mbi gjunjët e Ronaldos, rëndojnë dy “çentrale bërthamore”, kofsha hipertrofike, serburator potence: sekreti i formës së jashtëzakonshme atletike. Tendina, që lidhen kuadricipin me fyellin e këmbës, është një urë që mban një “trafik” të rënduar, fija që mban lidhur hënën me qiellin. Që gjatë botërorit në Francë, gjuri I djathtë i Ronaldos “bërtet” të gjithë dhimbjen e tij.

ronaldo4
Real Madrid, Milan dhe Kupa e Botes e fituar me Brazilin ne 2002

 

Më 21 nëntor 1999, Inter-Leçe: ai gju pëson një ndrydhje të pazakontë, për shkak të një grope në “San Siro”. Nëntë ditë më pas, professor Gerard Sailant i rindërton tendinën. Më 6 prill 2000, Ronaldo mund ti tregojë fansave të tij dhëmbët: “Sot lindi im bir Ronald dhe kam marrë lejen për të luajtur. Jeta është e bukur”. Por, një javë më pas, më 12 prill, në “Olimpico”të Romës, jeta e përplas sërish. Ronaldo futet në fushë në minutën e 58-të dhe prek pesë topa. I fundit në të 64’. Më pas bie në tokë dhe bërtet, në mes të një driblimi. “Kemi dëgjuar një zhurmë, sikur diçka këputej”, tregon arbitri Pelegrino. Tendina thyher si një elastic, si zhhurma e një thupre kur thyher. Ronaldo del nga fusha në lot teksa thërret “mama”dhe “baba”.

Profesor Sailant e merr sërish në patronazh. Fenomeni kthehet në fund të vitit 2001. Rigjen golin në Breshia në dyshe me mikun e tij Vieri, por raporti me gjeneralin Kuper është si mes ushtarit dhe gjeneralit. Thasë rëre në vrapime dhe stërvitje të rënda individuale. Bashkëjetesa bëhet e vështirë, por më 5 maj 2002, Ronaldo megjithatë është titular në ndeshjen e revanshit të madh të fatit: sërish në “Olimpico”, sërish ndaj Lacios, për festën e titullit. Por, përfundon në lot, këtë herë, jo për një tjetër dëmtim apo tendinë të thyer, por për diçka edhe më të keqe. Interi humbet në mënyrë të çuditshme në një ndeshje ku edhe tifozët vendas ishin përgatitur të festonin titullin zikaltër. Por, ai titull, i dhurohet Juventusit.

Fenomeni fshin lotët në Botërorin 2002 në Kore dhe Japoni, që e përjeton si mbret: udhëheq Brazilin te tituli me 8 gola (golashënues), dy Gjermanisë në finale. Në mbrëmjen e triumfit në Jokohama, harron që të prononcojë fjalën Inter. Asnjë fjalë mirënjohje për Moratin që e trajtoi si një fëmijë; që kur Lipi shpjegonte “Ronaldo është njësoj si të tjerët”, sqaronte “Roni është pak më shumë njësoj se të tjerët”, që i derdhte në llogarinë e tij 1 miliardë lireta në muaj edhe pse i dëmtuar.

Asnjë premtim popullit zikaltër që e pret si mbret në botë për të rinisur ndjekjen e Juves. Ikën si një hajdut… “Macja dhe Dhelpra” e udhëheqin te i  pasuri Real Madrid dhe ndajnë çdo fitim me “Pinokion”. Në Madrid shënon, fiton dhe e shijon. “Vendi i lodrave”, si te Pinokio: fiton La Liga, kupën Interkontinentale, Superkupën e Spanjës, një tjetër “Top të Artë”, një tjetër “FIFA Ëorld Player”dhe 1 titull Pichichi, 104 gola në 177 ndeshje zyrtare me merengues…

dem
Karriera e tij eshte karakterizuar nga demtimet e vazhdueshme ne gjunjet e mallkuar…

 

Pas pesë vjetësh, Fenomeni e dyfishon tradhëtinë ndaj Interit, duke hedhur firmën për Milanin, “kushërinjtë e urryer”. Te derbi i parë kuqezi (11 mars 2007), shënon ndaj mikut Hulio Sezar, shok skuadre i ish-Ronaldinjës, gruas së Ronaldos. Gatuzo I ulet në gjunjë. Më pas, Interi kthen rezultatin (2-1), por goli i Fenomenit mbeti si një thikë në zemrat e zikaltërve. Shtatë golat e Ronaldos rezultojnë deçizive për ringjitjen e Milanit në vend të katërt, që vlen Champions. Pjesa tjetër, një kalvar dëmtimesh, normaliteti për një Fenomen të persekutuar nga gjunjët.

riii
Demtimet e vazhdueshme dhe problemet ne tendina

 

Shkon në Paris për të kryer ndërhyrjet kirurgjikale, ndërsa aty mbyllet aventura kuqezi. “Më harruan këtu, asnjë s’më ka ardhur për vizitë”, do të deklaronte me zërin e ulët dhe thuajse ndër lot… Kështu në vitin 2009, kur kontrata i skadon, vendos që të kthehet në vendlindje. Karriera e tij rinis nga Korinthiasi. Edhe pse mes gossip, polemikave dhe basteve mbi peshën e tij, nuk rresht së bëri detyrën: të shënojë dhe fitojë. Feston kampionatin Paulista dhe kupën e Brazilit. Në llogari ka edhe 35 gola në 69 ndeshje, përpara se lotët, këtë herë, ato të lamtumirës, vijnë në qershor 2011: “Vuaj shumë, më dhembin gjunjët dhe smund të bëj më atë që bëja,pra të dribloj”. Ulet sipari…

ol

Mund të diskutoni sa të doni… Mund të thoni “Ronaldo është më I madhi, pas Peles, Maradonës, apo Mesit, në historinë e topit”. Mund të thoni dhe se “Ronaldo ishte I mallkuar”apo se “nuk mund të jesh I madh në vetëm 2-3 vjet”, por futbolli që ai shfaqi është një miks mes potencës, shpejtësisë dhe teknikës, të gjitha duke shtuar inteligjencën dhe “nuhatjen”vrastare Brenda zonës së rreptësisë. Miq, ai Ronaldo, “Fenomeni”, ishte një njeri I ardhur nga një tjetër Galaksi dhe për ata që e kanë parë në fushë, mbetet kujtimi më I bukur… Sot, në  youtube, ka shumë fenomenë, por ai është “Fenomeni” I vërtetë, I fushës!

pele

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image