Roma prezanton Xhastin Klajvert, Monçi sqaron pse u shit Alison

Një ditë pas marrëveshjes së bujshme me Liverpulin për të shitur portierin brazilian Alison, Roma ka prezantuar talentin holandez Xhastin Klajvert, i biri i të famshmit Patrik Klajvert.

Ndonëse tek Ajaksi ka bërë gjëra të shkëlqyera, 19-vjeçari Xhastin e pranon se është ende fillestar dhe shpreson të ndjekë rrugën e të atit: “Kam folur me babain tim, më ka thënë disa gjëra për këtë kampionat, pasi e njeh mirë. Do doja të ecja në hapat e tij, në çdo drejtim”.

MONÇI – Drejtori sportiv i Romës, spanjolli Monçi, ka folur gjerësisht për merkaton e Romës, duke e konsideruar Klajvertin një investim madhor edhe për të ardhmen, ndërsa ka folur për shitjen e Alisonit, tashmë portieri më i shtrenjtë në histori: “Alison është në Angli, por ende nuk ma përfunduar gjithçka. Detyra e një drejtori sportiv është të kuptojë cila është zgjedhja më e mirë për një klub në një moment të caktuar dhe oferta e Liverpulit ishte ‘jashtë tregu’.

“Kemi shitur Naingolan e Alison, por kemi marrë 10 lojtarë, kemi ambicie edhe më të mëdha se vjet. Ambicie është t’i bësh gjërat duke përdorur trurin, pa e vënë në vështirësi klubin, në një moment ku shumë klube italiane po falimentojnë, ose kanë probleme të mëdha financiare.

“Kam ardhur këtu për të ndërtuar ekip të fortë, por jo brenda vitit. Për të shkuar në katin e dhjetë, duhet të ngjitësh katet poshtë tij. Edhe kur iku Salah thanë që u dobësuam shumë, por ndodhi e kundërta. Edhe kur iku Shçesni u duk fundi i botës, por doli në pah Alison. Pasuesi i Alison? Me qetësi, nuk ka pse ngutemi”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *