“Roma ka vdekur”, mesfushori i verdhekuqve: Vajzës i them ka një kafshë në ajër, dua ballkonet ku këndohet

“Roma është e vdekur”, kështu zgjedh ta përshkruajë mesfushori Veretout i kryeqytetin italian në këtë periudhë. Një përshkrim ky që i shkon përshtat gjithë Italisë, e cila prej disa kohësh është futur në izolim, si arma e vetme për t’u përballur me armikun e padukshëm që po cënon ndjeshëm sigurinë shëndetësore. Futbollisti i Romës ka folur për median e vendlindjes së tij, “L’Equipe”, mbi situatën në këto momente, ndërsa ndan me të gjithë edhe mënyrën që ka zgjedhur për t’i mbajtur fëmijët e tij të vegjël larg rrugëve të qytetit.

“E vështirë të shohësh imazhet e spitaleve apo ato të lidhura me virusin, preferoj të shoh imazhet e ballkoneve ku këndohet. Kur vajza ime më pyeti nëse mund të dilte në kopsht ose nëse kishte një bishë jashtë, unë u përgjigja se ekziston një kafshë e vogël në ajër, por ajo mund të dilte dhe të luante në shtëpi. Roma është tani një qytet i vdekur. Zakonisht është një qytet i mbushur me njerëz. Sheshet e mëdha, Vatikani, janë gjithmonë plot. Në lagjen time ka gjithmonë zhurmë në sfond. Atje, kur dal në kopsht me vajzat e mia, ka një ndjenjë zbrazëtie, është pak e frikshme. Por ne jetojmë kështu tani. Situata është shumë e rëndë. Pa mobilizimin e të gjithëve ne nuk do t’ia dalim”, ka thënë Jordan Veretout./Sport Ekspres/