Roma-Inter nuk ka fund, Spaleti i revoltuar pas ndeshjes

Mbrëmjen e kaluar Interi u ndal në fushën e Romës në një barazim 2-2, rezultat që nuk i shërbeu aspak të dyja skuadrave. Zikaltrit ndjejnë më shumë keqardhje, pasi ishin dy herë në avantazh. Në fundin e takimit pati disa polemika, ku protagonist ishte Luçiano Spaleti.

Numri një i stolit të Interit, foli pas takimit mjaft i revoltuar, pasi Roma kishte disa pretendime për një penallti të pa dhënë në pjesën e parë, pak momente përpara se Interi të shënonte.

“Duke parë që ju keni dëshirë të krijoni kaos në lidhje me arbitrimin, që në këndvështrimin tim ishte i drejtë, atëherë le të flasim. Penalltia që pretendon Roma, përpara se ne të shënonim golin e parë, nuk është ndonjë kontakt i madh, por është e qartë që duhet të rishikohet në VAR”.

Gjithashtu, Spaleti shtoi se dhe Interit iu mohua një penallti në fundin e takimit. Bëhet fjalë për kontaktin midis Manolas dhe Ikardi në minutën e 85-të, kur ndeshja ishte në shifrat 2-2.

“Në qoftë se flasim për këtë, le të flasim dhe për ndërhyrjen e Manolas ndaj Ikardit. Nuk është aspak shpatull, është një shtyrje e pastër. Ikardi po shkonte te topi dhe do të shënonte. Është një penallti e qartë”.

“Është një barazim i drejtë, midis dy skuadrave që luftuan deri në fund për fitoren. Xhanluka Roki arbitroi mirë, pavarësisht se kishte pretendime nga të dyja palët. Nuk mund t’i ndash si episode, as njërën as tjetrën, të dyja duhej të shiheshin në VAR”, përfundoi fjalët e tij tekniku zikaltër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *