Roli i preferuar dhe këshillat e Bufon, Rabiot: Juventusi një shkallë sipër PSG-së

Adrien Rabiot është gati për të nisur një eksperiencë të re në karrierën e tij. Mesfushori francez kaloi një vit të vështirë dhe problemet me drejtuesit e PSG-së ia “zhdukën” fushën e blertë.

Gjithsesi, që prej ditës së djeshme ai është pjesë e bardhezinjve të Juventusit. Rabiot ka thënë fjalët e para si juventin, duke prekur disa tema të ndryshme gjatë prononcimit të tij.

JUVENTUS – “Kam ardhur të një klub i madh, shumë prestigjioz dhe me një eksperiencë të madhe në nivel evropian. Ashtu si e shoh unë, Juventusi është një shkallë sipër PSG-së. Kam patur edhe më parë kontakte me Juven, por ishte një periudhë tjetër e jetës time. Tani kishte ardhur momenti i duhur për të ardhur dhe ja ku jam këtu.”

AKORDI – “Marrëveshja u mbyll para pak ditësh dhe më duhet të them se gjithçka ndodhi shumë shpejt. Nuk patëm asnjë problem për të rënë dakord. Juventusi ka një histori të madhe dhe kjo përfshin edhe lojtarët francezë. Ashtu si ata, shpresoj që edhe unë të sjell diçka nga vetja.”

PSG – “Do doja ta mbyllja ndryshe, por janë gjëra që ndodhin dhe nuk varej vetëm nga unë. Tani dua ta lë pas krahëve atë histori. Leonardo nuk tentoi të më mbante. E kishte kuptuar që gjithçka kishte mbaruar, thjesht donte të dinte se çfarë kishte ndodhur.”

SARRI – “Nuk kam biseduar akoma me trajnerin, por mendoj se Juventusi ka bërë zgjedhjen e duhur me Sarrin. Mua më pëlqen të luaj si ‘mezzala’ e majtë. Kam luajtur si në mesfushën me 3 edhe në atë me 2. Zgjodha numrin 25.”

BUFON – “Xhixhi më ka dhënë shumë këshilla dhe më ka folur shumë për Juven. Ai e njeh mirë skuadrën dhe ishte personi më i mirë për të diskutuar këtë temë. Mendimi i tij ka qenë shumë i rëndësishëm për mua.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *