Roben e Riberi nuk preken, vjen rinovimi

Ky sezon mendohej se do të ishte i fundit me fanellën e Bajernit për dyshen e veteranëve Arjen Roben e Frank Riberi. Kontratat e lojtarëve mbarojnë në fund të sezonit aktual dhe shpesh në media kanë qarkulluar lajme se dyshja do të largohej gjatë merkatos së verës drejt kampionateve jashtë kontinentit evropian ku do të luanin vitet e fundit të karrierës. Gjithsesi, duket drejtuesit e Bajernit besojnë akoma te ata dhe kanë vendosur që t’u ofrojnë një kontratë të re për sezonin e ardhshëm, raporton “Sport Bild”. Sipas gazetarëve gjermanë, bordi drejtues i kampionëve të Gjermanisë ka dhënë “OK” për rinovimet 1-vjeçare për kontratat e dy sulmuesve të krahut dhe tani pritet zyrtarizimi i marrëveshjeve.

Prej kohësh Roben e Riberi ishin nervozë, pasi rinovimi i tyre po zvarritej më shumë se vitet e shkuar, por Bajerni kishte pezull edhe çështjen e trajnerit dhe tani që ka zgjedhur Niko Kovaç si pasues të Jup Hajnkesit, është vënë në lëvizje edhe për ndërtimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *