Rivali i Partizanit, shumë larg kreut dhe pa yllin e sezonit të fundit

Kur mendon për kampionatin bullgar, mendon për emra si Levski, CSKA e Liteks, por në dekadën e fundit “gogoli” është Ludogorec, që e ka vrarë kampionatin, aty ku varfëria ekonomike dhe trukimet kanë bërë që niveli të bjerë ndjeshëm.

Për këtë arsye, Partizani ka përse të jetë optimist, sepse përballet me Botevin, klub që ka fituar 2 herë titullin kampion (1929 e 1967) dhe 3 herë kupën dhe ashtu si Skënderbeu i Korçës, mban emrin e heroit ndërkombëtar Hristo Botev.

Botevi është themeluar 105 vjet më parë është skuadra më e vjetër e Bullgarisë që vazhdon të ekzistojë dhe në historinë e vet krenohet me çerekfinalet ne Kupës së Kupave në sezonin 1962–63. Skuadra i përket qytetit të Plovdivit, qyteti i dytë më i madh në Bullgari, ndërsa për momentin luan në Kompleksin e Futbollit “Botev 1912”, pasi stadiumi “Hristo Botev” është në rikonstruksion dhe gjithçka ka ngecur për mungesë fondesh.

Partizani është ndeshur 2 herë më parë me ekipe bullgare: në sezonin 1963-1964 të kuqtë u eliminuan në Kupën e Kampioneve nga Spartak Plovdivi dhe në sezonin 1971-1972, po në Kupën e Kampioneve, Partizani u eliminua nga CSKA e Sofjes.

Ylli i Botevit në sezonin që lamë pas ishte mesfushori anësor Todor Nedelev, i huazuar nga Mainci. Me 14 gola në 39 ndeshje këtë sezon, Nedelev konfirmoi se është një ndër futbollistë më të mirë bullgarë dhe jo rastësisht luan edhe kombëtaren, por për fatin e Partizanit, huazimi i tij përfundon më 30 qershor dhe do të kthehet te Mainci.

Në sezonin e fundit Botevi mundi në finalen e kupës Ludogorecin favorit, por në kampionat e mbylli në mesin e tabelës në sezonin e rregullt dhe u detyrua të luante në fazën play-off për mbijetesë, ku në fakt nuk vuajti fare për të siguruar qëndrimin mes më të mirëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *