Rivali i Laçit/ Anorthosis, nga lavdia në errësirë

0

Anorthosis është klub qipriot nga Famagusta (tani në Larnaka), themeluar në vitin 1911, dhe është rivali i Laçit në turin e parë në Europa League.

Një emër i rëndësishëm, edhe pse në grupin e skuadrave që mund të kapte Laçi nuk është rivali më i fortë.
Qipriotët drejtohen nga Roni Levi dhe sezonin e fundit u renditën të tretët. Anorthosis është një ndër klubet më të suksesshëm në Qipro, me 13 tituj dhe 10 kupa, ndërkohë që nuk ka zbritur kurrë nga kategoria.

Edhe në Europë Anorthosis ka bërë histori, duke qenë klubi i parë qipriot që ka shkuar deri në grupet e Champions League.

Gjithsesi, shpenzimet për sukses ndërkombëtar bënë që klubi të zhytej në borxhe dhe në vitin 2013 u rrezikua falimentimi, me një borxh prej më shumë se 13 milionë eurosh. Prej një dekade Anorthosis është në hije, sepse nuk ka fituar asnjë trofe në Qipro, ndërsa pjesëmarrjen e fundit në kupat e Europës e ka pasur në sezonin 2012/13, kur u eliminua nga Dila Gori e Gjeorgjisë në turin e tretë kualifikues.

Në treg Anorthosis vlen 12 milionë euro si ekip, me qendërmbrojtësin brazilian Daglao që është më i shtrenjti, me vlerë 1 milion euro, ashtu si sulmuesi çek Mihal Xhurish, ndërsa mesfushori Zhoao Viktor dhe sulmuesi Demba Kamara vlejnë nga 900 mijë euro secili.

Portieri izraelit Harush, mesfushorët Zhoao Viktor e Rajo dhe mbrojtësi kroat Shildenfeld ishin lojtarët me më shumë minuta sezonin e fundit, ndërsa shënuesi më i mirë në kampionat ishte Xhurish, me 11 gola.

Këtë verë Anorthosis është përforcuar me sulmuesin gjeorgjian Kaçarava, pronë e Rostovit, por në huazim dy sezonet e fundit te Ethnikos Ahnas (16 gola) dhe Korona në Poloni (7 gola). Portieri Harush është larguar, zëvendësuar nga portugezi Mário Felgueiras, titullar sezonin e fundit te Paços Ferreira në Portugali.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.