Rivali i Kukësit: Rekord trofesh, por ekip modest

Valeta FC është një klub maltez nga kryeqyteti i Maltës, Valeta. Është themeluar në vitin 1943 dhe është klubi më i suksesshëm në Maltë, me 24 tituj kampionë, 14 kupa dhe 11 Superkupa. Në sezonin 1996–97 Valeta vendosi një rekord, duke fituar 5 trofetë e mundshëm në Maltë, ndërsa në sezonin 2000–01 e theu vetë rekordin, sepse fitoi 6 trofe në një sezon (përfshirë disa kompeticione dytësore, organizuar nga federata malteze).

Në 10 vitet e fundit Valeta e ka fituar 6 herë titullin (2007–08, 2010–11, 2011–12, 2013–14, 2015–16, 2017–18), duke qenë superfuqia e kampionatit.

Trajner i ekipit është serbi Danilo Donçiç, në drejtim prej mesit të sezonit të fundit, pak a shumë si Peter Pakult te Kukësi. Megjithatë, në krahasim me Pakult karriera e Donçiç është modeste, me Ethnikos Ahnan në Qipro dhe 5 ekipe të drejtuar në Maltë, ku duket se ka gjetur parajsën. Pikërisht këtë sezon Donçiç fitoi trofetë e parë në karrierë.

Në këtë moment Valeta vlen rreth 2.8 milionë euro në treg si skuadër (burimi: Transfermarkt), ndërsa Kukësi 5.2 milionë, por janë vlera që do të ndryshojnë për shkak të lëvizjeve në merkato.

Ditët e fundit sulmuesi veteran Majkëll Mifsud (18 ndeshje e 3 gola kampionatin e fundit) la Valetën për Birkirkaran.

Shënuesi më i mirë i kampionatit maltez sezonin e fundit ishte Amadu Samb i Gzira United, me 21 gola, i cili në sezonin 2013/14 shënoi 4 gola në 13 ndeshje te Teuta, në 3 muaj aktivizim.

Shënuesi i dytë më i mirë doli italiani Mario Fontanela i Florianas, me 17 gola. Pikërisht Fontanela këto ditë është transferuar te Valeta dhe do jetë në fushë kundër Kukësit.

Lojtari më i shtrenjtë në treg për Valetën është 29-vjeçari argjentinas Migel Alba (400 mijë euro), i cili në janar kaloi nga Kategoria e Katërt argjentinase te Valeta, duke luajtur 11 ndeshje në formacion e duke shënuar 2 gola. Sulmues me shumë eksperiencë, Alba luajti te Valeta edhe në pjesën e dytë të sezonit të shkuar, me 5 gola në 12 ndeshje, ndërsa më parë ka luajtur në Argjentinë, Kolumbi, Kili e Qipro, ndaj është lojtare shumë eksperiencë.

Nga ekipi i sezonit të shkuar, bien në sy lojtarë si mbrojtësit titullarë të Maltës, Rajan Kamileri, Stiv Borg e Xhozef Zerafa, mesfushori nga Omani, Saleh, dhe sulmuesi argjentinas Santiago Malano.

Në vitin 2002 Valeta u ndesh me Teutën në Kupën Intertoto dhe u eliminua (1-2, 0-0).

Ndonëse luan rregullisht në kupat e Europës, Valeta asnjëherë nuk ka avancuar më shumë se një tur, duke fituar vetëm ndaj rivalëve shumë modestë si Folgore e San Marinos vitin e shkuar apo B36 Tórshavn i Ishujve Faroe para dy vitesh.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *