Rishfaqet Abu Kamara, lista e Luftëtarit mund të ndryshojë

Lojtari nga Liberia ishte dje në Gjirokastër, ndërkohë që kapiteni Beqiri është optimist për një sezoni i ai i fundit, pse jo më të mirë

Gëzim Beqiri

Luftëtari ka filluar përgatitjet në Gjirokastër dje pasdite, pas kthimit nga Greqia, ku u stërvit për 10 ditë dhe zhvilloi edhe 2 miqësore ditët e fundit të qëndrimit atje. Më parë u luajt me futbollistët e rinj të afruar në ekip dhe kundërshtari ishte Veria, ndërsa një ditë më vonë gjirokastritët barazuan pa gola me Kardhicën e kategorisë së dytë.

Në stërvitjen e djeshme, veç zbatimit të programit me veprime dhe ushtrime taktike, dyshja e trajnerëve nga Uruguai improvizoi edhe një lojë, duke vendosur përballë dy skuadra. Duket se grupi i futbollistëve që do të jetë në listën e federimit është i plotësuar, por, sipas njoftimit të drejtuesve të klubit, zyrtarisht do të shpallet në momentet e fundit para dorëzimit në FSHF, pasi mund të ketë ndryshime. Mund të shtohet futbollisti nga Liberia, Abu Kamara, i cili dje është parë bashkë me menaxherët e tij në Gjirokastër. Në diskutim për të qenë pjesë e Luftëtarit janë edhe disa futbollistë vendas, që mund të huazohen në ekipe të qarkut. Ndryshe nga një sezon më parë, janë 6 futbollistë gjirokastrite, që do të jenë pjesë e Superligës, nga 2 që ishin një vit më parë. Të premten Luftëtari do të testojë lojtarët e rinj me një formacion të përafërt me atë që luajti ndaj Verias në Greqi, ndërsa të shtunën është në program miqësorja me Bylisin. Me këtë të fundit do të luhet me një tjetër formacion. Nunies, Toledo dhe Nasif mund të luajnë në të dy takimet. Këta tre të huaj mendohet të jenë “zbulimet” e kampionatit shqiptar.

BEQIRI – Kapiteni i Luftëtarit, Orjad Beqiri, për gjendjen e ekipit dhe përgatitjet e deritanishme të Luftëtarit, shprehet: ”Kemi zhvilluar një fazë përgatitore shumë të mirë, nën drejtimin e dy trajnerëve uruguaianë. Ata kanë punuar në mënyrë të shkëlqyer gjatë kësaj periudhe në aspektin tekniko-taktik. Ndërsa në aspektin fizik kemi punuar po në mënyrë të shkëlqyer nën drejtimin e përgatitësit atletik Kostas Koltsidas, që do të na bashkohet përsëri në Gjirokastër dhe do të jetë me ne deri në fund të vitit. Për merkaton besoj se drejtuesit kanë vepruar drejt, pasi kanë afruar lojtarë me eksperiencë dhe disa të rinj, të cilët premtojnë për të ardhmen. Objektivi ynë është që të vazhdojmë si një vit më parë, pse jo dhe më mirë, kështu që do të japim maksimumin për ta arritur këtë qëllim“.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *