Rinovon Bardulla, por një defekt shtyn firmën për sot

Pas akordit me drejtuesit e klubit, mesfushori është paraqitur në zyrën e administratorit Gjyrezi. Një defekt në sistemin elektrik të gjithë qytetit shtyn firmën për sot

Gaspër MARKU

Nga tre titullarë të mbetur pa firmosur për Vllazninë e këtij sezoni, Selimaj, Krymi dhe Bardulla, që dje kanë mbetur dy të tillë. Ky i fundit ka mbyllur gjithçka me drejtuesit e klubit kuqeblu dhe pa frikë mund të quhet futbollist i Vllaznisë edhe për sezonin 2017-2018. Edhe pse në opinionin sportiv shkodran flitej me dyshim, nëse Bardulla do të firmoste apo jo me skuadrën kuqeblu, vetë futbollisti në fakt e kishte shprehur edhe më përpara se një gjë e tillë është drejt konkludimit, pasi kishin mbetur vetëm disa gjëra të vogla për t’u rregulluar me kërkesën e tij në kontratë.
Defekti elektrik dhe shtyerja e firmës
Kishte ndodhur shpesh, që energjia elektrike të bëhej pengesë në zhvillimin e një ndeshjeje sportive, por rasti i Bardullës ndoshta është krejt i veçantë, sepse shkëputja e energjisë elektrike u bë pengesë në procedurën së firmosjes së kontratës zyrtare për sezonin e ri. Mesfushori shkodran, pasi më parë kishte konsumuar gjithçka jashtë zyrave të klubit të futbollit Vllaznia, duke rënë dakord me të gjitha nenet dhe kërkesat që përmbante kontrata, bashkë me administratorin Astrit Gjyrezi i është drejtuar zyrave të klubit për të përfunduar procedurat përkatëse. Por, sapo ka nisur puna finale, duke përfshirë edhe komunikimin me sistemin “online” të Federatës Shqiptare të Futbollit, një defekt në sistemin elektrik ka bërë që procedurat të ndërpritet. Pritja për normalizimin e situatës ka qenë disaorëshe, ashtu siç në fakt dje ka vuajtur edhe një pjesë shumë e madhe e komunitetit. Në të tilla kushte, drejtuesit e kanë parë të arsyeshme ta shtyjnë procedurën e firmosjes për një ditë më pas, pra për sot.
Bardulla, i kënaqur për rinovimin
Rinovimi me Vllazninë e ka nxjerrë të kënaqur mesfushorin shkodran, gjë që nuk nguroi ta shprehë edhe gjatë një prononcimi të shkurtër për “Sport Ekspres”. Sipas dy palëve, klubit dhe vetë Bardullës, kjo shtyrje nuk ka pse të ndikojë në asnjë paqartësi për kontratën dhe çdo gjë pritet të mbyllet në orët e paradites së sotme. “Jam i kënaqur me kontratën dhe për këtë falënderoj drejtuesit e klubit Vllaznia, për mirëkuptimin në arritjen e konsensusit”, shprehet mesfushori shkodran. Detaje më të shumta rreth kontratës së tij mund të jepen sot, pas nënshkrimit të saj, ku vetë Bardulla mund të dalë edhe në konferencë për shtyp. Por, nga ajo që mësohet, kontrata është e përpiluar në formatin një plus një. Përpos kësaj, Bardulla shpreh kënaqësinë edhe për atë që do të vijojë të jetë sërish pjesë e Vllaznië. “Jam rritur te Vllaznia dhe dëshira ime është për të vazhduar të luaj dhe të kontribuoj për këtë skuadër edhe në vitet në vazhdim”, – thekson Bardulla, me shpresën se këtë sezon paraqitja e kuqebluve do të jetë ndryshe nga ajo e viteve të fundit, përfshirë edhe sezonin që lamë pas. Duke folur përgjithësisht për skuadrën, ai është i mendimit që ardhja e dy kolegëve të tjerë shkodranë, Hasanit dhe Likës, i ka dhënë ngjyrë krejt tjetër formacionit kuqeblu. Sipas tij, me fuqizimin edhe me ndonjë lojtar tjetër, që pritet të firmosë ditët në vazhdim, sportdashësit shkodranë do të kenë rastin të shikojnë një Vllazni të një cilësie tjetër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *