Rinovimi i kontratës, Ferrari mban në presion Kimi Raikonen

0

Bosi i Ferrarit përpiqet të largojë zërat se kokëkuqja mendon të afrojë Luis Hamiltonin në vend të Kimi Raikonen. Britaniku është në prag të rinovimit me Mercedezin dhe po kështu edhe finlandezi qëndron në pritje të një kontrate të re që do ta mbante të lidhur me Ferrarin edhe pas këtij sezoni. Nisur nga situata e të dy pilotëve, ka patur shumë zëra në qarkullim, por Maurizio Arrivabene i bën të qarta planet që ka skuadra e kuqe: “Çdo pilot dëshiron të garojë me Ferrari. Kjo është normale edhe për ata që kanë fituar tituj me skuadra të tjera. Ne jemi të kënaqur me pilotët tanë, por kjo nuk do të thotë se do të nënshkruajmë që nesër me Raikonen. Kimit ia kam bërë të qartë se kontrata varet nga performancat. Nëse më pyesni në e meriton rinovimin, unë do të thoja po. Por nëse them po, atëherë ai mund të bjerë në qetësi, kështu që mirë ta mbajmë Kimin të motivuar”, tha Arrivabene. Me pak fjalë, 35-vjeçari duhet të punojë që ta fitojë rinovimin e kontratës dhe deri tani rezultatet i ka në favor. Në Çmimin e Madh të Bahreinit, finlandezi u ngjit për herë të parë në podium pas 26 garash dhe kjo ishte një tjetër dëshmi se Ferrari është rikthyer i fortë këtë sezon e bashkë me të edhe Raikonen.

Ringritja e Ferrarit – Mercedezi mbetet makina më e fortë deri më tani, por është aty pranë, jo shumë e distancuar nga të tjerat. Madje, nëse gjendet nën presion, mund edhe të pësojë edhe ndonjë problem teknik. Ferrari duket se po arkivon në këtë mënyrë Çmimin e Madh të Bahreinit, duke qenë të bindur se më në fund kanë gjetur rrugën e duhur për të ndjekur, sipas drejtorit teknik Maurizio Arrivabene. “Edhe pse realisht e dinim që kishim nisur një punë të mirë, gara e kësaj fundjave ishte domethënëse për të forcuar më shumë idenë e një klime besimi dhe entuziazmi në skuderinë nga Maranello”, shprehet ai. “Mund të na tërhiqet pak vëmendja, pas atyre dy parakalimeve që në nisje nga Raikonen dhe Vetel ndaj Rosberg, ndërkohë që Hamilton kontrollonte garën. Mund të qortohemi edhe për garën e Sebastian, i cili dëmtoi hundën e makinës, por të gjendemi mes dy makinave Mercedez, të cilat vitin e kaluar në këtë pistë nuk patën aspak konkurrencë, nuk mund të mos konsiderohet si diçka e mrekullueshme”. Arrivabene shpjegon edhe atë që fshihet pas gjithë kësaj ringritjeje të Ferrarit, që po kap kufijtë e të mrekullueshmes. “Jam i lumtur për skuderinë, sepse ka punuar mirë. Dua të falenderoj të gjithë personat në Maranello që mundën të zhvillojnë një motor të tillë, por edhe çdo detaj tjetër të makinës, duke realizuar në 3 muaj diçka që normalisht do të kërkonte të paktën 6 muaj punë. Nuk e di nëse do të arrijmë Mercedezin, por sigurisht që më pëlqen ideja që po i vendosim ata nën presion”, përfundoi drejtori teknik i “kokëkuqes”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here