Rinisin spekulimet, Nejmar kërkon largimin nga Barça?

0

U bë kohë tashmë që braziliani Nejmar lidhet herë me Mançester Junajtid e herë me PSG-në, por gjithnjë vetë i interesuari dhe Barcelona kanë mohuar gjithçka dhe martesa vazhdon e qetë, me rinovime milionere.

Megjithatë, sot gazeta katalanase Sport del me një lajm të bujshëm: Nejmar nuk ndihet komod te Barcelona dhe kërkon largimin!

Ashtu si çdo verë, ofertat milionere nga Anglia e Franca po joshin brazilianin, i cili nuk ndihet i qetë në Spanjë mbi të gjitha për një arsye të vetme: duke qenë me Leo Mesin në ekip, do të mbetet gjithnjë aktor i dytë dhe nuk do të ketë shanse për Topin e Artë. Kampion Europe, Spanje, bote, por gjithnjë i dyti pas Mesit.

Tashmë 25 vjeç, Nejmar nuk dëshiron të konsiderohet një simbol dhe i përjetshëm te Barça, si Mesi, ndaj Sport shkruan se për herë të parë braziliani po sheh me interes ofertat, ndërsa më 10 korrik deklaroi: “Ku i dihet të nesërmes? Jam i lumtur në Barcelonë, por gjithçka mund të ndodhë. Mançester Junajtid? Po… ose Eibari”.

Edhe një vit më parë agjenti i Nejmarit deklaroi bujshëm: “Po, PSG i bëri ofertë Nejmarit për t’u bërë më i paguari në histori, por Nejmar refuzoi”.

Në tetor 2016 Nejmar rinovoi deri më 2021, me një pagë prej 15 milionë eurosh dhe një klauzolë prej 200 milionë eurosh për prishjen e kontratës që këtë verë, ndërsa në dy sezonet pasardhës klauzola do të shkojë 222 milionë dhe prej 2020 do të shkojë 250 milionë.

Sot sekretari teknik i Barcelonës, Robert Fernández, deklaroi: “Një Barcelonë pa Nejmarin? Nuk ka për të ndodhur që një klub të paguajë klauzolën e Nejmarit”.

Provokim, apo siguri? Duhet pyetur në Mançester ose Paris, sepse ta mendosh hollë-hollë, 200 milionë euro nuk janë edhe aq shumë. Fundja, nëse Mbape po vlerësohet 120-130 milionë…

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here