Rinis muzika “Champions”, sfida të ekuilibruara në Mançester e Romë

Pritja merr fund. Më në fund, pas 2 muajsh, muzika e Champions League do të rinisë të luhet, teksa do të zhvillohet faza e 1/8-ave. Dy sfida do të luhen mbrëmjen e sotme, ku spikat padyshim përballja e Mançester Junajtid me PSG. Gjithashtu, do të luhet dhe ndeshja Roma-Porto.

Mançester Junajtid vjen nga një formë fantastike, teksa trajneri i ri, Ole Gunar Solskjaer, ka sjellë një frymë fituese dhe pozitive në ekip, ku në 11 takime numëron plot 10 fitore dhe një barazim. Ndërkohë, krejt ndryshe paraqitet situata në kampin parisien, pas edhe dëmtimit të Edison Kavanit së fundmi.

Nejmar do të jetë mungesë e madhe për francezët gjithashtu, me brazilianin që është në dyshim edhe për ndeshjen e kthimit. Kështu, e gjithë pesha e sulmit e ekipit të Tuhel bie mbi Kilian Mbape, i cili është shprehur shpesh që është e vështirë të luash pa Nejmar. Junajtid nga ana tjetër, vjen me grup të plotë, ku e vetmja mungesë që mund të përmendet është ajo e Antonio Valencias.

Në “Olimpico”, luhet një tjetër sfidë, edhe kjo mjaft e ekuilibruar, ku Roma do të presë Porton. Verdhekuqtë vijnë nga një moment jo fort i mirë, ku pavarësisht fitores së fundjavës ndaj Kievos, makthet e humbjes 7-1 me Fiorentinën vijojnë të qëndrojnë.

Gjithashtu edhe në kampin portugez, ndeshjet e fundit kanë treguar se Porto nuk është në një formë të mirë, teksa pasi kanë humbur finalen e Kupës me Sportingun, kanë marrë dhe dy barazime në kampionat, që kanë sjellë shkurtimin e diferencës me Benfikën  në vetëm -1 pikë. Mungesat e Maregës apo Hesus Koronës, shihen si mjaft shqetësuese për luzitanët, por gjithçka mbetet për t’u parë në mbrëmje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *