Rikthimi në Champions, Zaneti kujton triumfin e 2010: Kievi ishte momenti vendimtar

Inter rikthehet në Champions pas gjashtë vitesh dhe është gati për sfidën e mbrëmjes kundër Totenhemit. Ish-kapiteni legjendar i zikaltërve, Havier Zaneti, i cili mban postin e zëvendës presidentit, flet për kompeticionin prestigjioz dhe tregon momentin kur Interi filloi të besojë se mund të fitojë Championsin në vitin 2010.

Ekipi po humbiste përballë Dinamos së Kievit në Ukrainë dhe ishte pothuajse i eliminuar. Shevçenko kishte kaluar vendasit në avantazh, por Milito dhe Shnajder shënonin në minutat e 86-të dhe 89-të për t’i dhuruar djemve të Murinjos një fitore epike. Historia më pas dihet dhe Inter triumfoi përballë Bajernit të Mynihut në finale duke rikthyer kupën me veshë të mëdhenj në klub pas 40 vitesh.

“Champions është një kompeticion i jashtëzakonshëm. Përballesh me skuadrat më të forta të Europës, ke gjithë ‘San Siron’ mbas vetes, që të mbështet. Ky është dimensioni natyral i një klubi si Interi. Më kujtohet ndeshja e parë në Champions. Luanim në Pisa dhe përballeshim me letonezët e Skonto Rigës.”

“Fitimi i Champions në 2010? Kievi ishte momenti kyq, kur menduam që mund ta fitonim këtë kompeticion. Ishim pothuajse të eliminuar, por ia dolëm në sekondën e fundit”, përfundon Havier Zaneti për “Matchday Programme”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *