Rikthehet De Biazi, jep mësime jete: Nëse nuk flet zhdukesh si trajner!

Ish-trajneri i Shqipërisë, Xhani de Biazi, e di mjaft mirë se duhet të qëndrojë në vëmendjen e medias për të qenë ende në treg. Ai bën rolin e komentatorit te Rai, por nuk përton të japë intervista për medie të ndryshme. Së fundmi, italo-shqiptari dha një intervistë të gjatë për “La Gazzetta dello Sport”. Ai tregoi dhe njëher zhgënjimin me Poloninë, por dhe mendimet e tij për të ardhmen.

Polonia – “Me Poloninë kam një histori të vjetër. Më kanë kontaktuar në vitin 2013 para Naualkas, por atëherë isha me Shqipërinë. Tani më kontaktuan dhe për zëvendësimin e tij. Gjithçka ishte në rrugën e duhur dhe për një moment u ndjeva trajneri i ri i Polonisë. Kisha bërë dhe rrobat gati. Në fund gjërat ndryshuan dhe e mora vesh nga shtypi që nuk isha unë trajneri i ri. Rasti i dytë që unë humb me kombëtaret, pasi në vitin 2016, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, nuk më liroi të merrja drejtimin e Italisë”.

Komentimi – De Biazi është pjesë e Rait, por nuk dihet nëse do të vazhdojë të jetë në televizonin italian.  “Në mes të gushtit do të komentoj ndeshjen e fundit në ‘Rai’, finalen e Superkupës Evropiane ndërmjet Realit dhe Atletikos, në Talin, Estoni. Rai ka shkuar me një emër tjetër pas gushtit, por mendoj se do të vazhdoj të jem pjesë e tij. Televizioni është për ne trajnerët që t’u tregojmë presidentëve se jemi gjallë. Në futbollin e sotëm, nëse nuk shfaqesh, ti nuk ekziston. Rai transmeton qartë dhe ka një shikueshmëri të çmendur “.

E ardhmja – “Sigurisht që dua të kthehem në Itali. Situata është pak e vështirë nëse merr një ekip në dhjetor, pasi klubi mund të të largojë në mars. Ku qëndron ideja këtu? Në tre muaj nuk ke kohë për të njohur grupin dhe mjedisin siç duhet. Sezonin e fundit e refuzova diçka të tillë”.

Merkato në Seria A – “Bonuçi është një mbrojtës i madh, por unë, nëse do të kisha qenë te Juventusi, do të kisha besuar te Kaldara. Ai është e ardhmja e kombëtares italiane. Kaldara më pëlqen për fizikun dhe inteligjencën. Higuain shënon shumë gola. Çfarë mund të them?”, – përfundon De Biasi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *