Rihapet La Liga, meritë e Las Palmasit dhe… arbitrit

Kampionati spanjoll kishte marrë fund, deri para pak javësh,por për Atletikon e Madridit, që po rreshton fitoret dhe tashmë është vetëm 5 pikë larg Barcelonës. E pabesueshme ajo që po ndodh në Spanjë, sepse sot Barcelona barazoi sërish, këtë radhë në Las Palmas, 1-1. Mesi shënoi një supergol në minutën e 21-të dhe u duk se do të ishte historia e zakonshme, me kryesuesit që mund të regjistronin goleadën e radhës, sepse këtë kampionat kanë shënuar 69 gola.

Nuk ndodhi asgjë e tillë, sa për meritë të Las Palmasit, që rezistoi me të gjitha forcat, aq edhe për faj të arbitrit Mateu Lahoz, i cili bëri disa gafa gjatë ndeshjes, duke mos parë një penallti pro Barcelonës, apo një karton të kuq për portierin e Las Palmasit për prekje me dorë jashtë zone. Në fillim të pjesës së dytë një rrëmujë në zonën e Barcelonës bëri që të jepej një penallti shumë e dyshimtë, shënuar nga Kajeri.

Nervoze, Barcelona nuk reagoi deri në minutat e fundit, ndërsa Las Palmas u mbrojt me shumë kujdes dhe mori një pikë shprese në garën për mbijetesë.

Tani Barcelona është vetëm 5 pikë mbi Atletikon dhe në fundjavë luhet finalja e madhe në Camp Nou!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *