Riberi: Jemi unë dhe Arjeni, për çfarë duhen blerjet?

0

Frenk Riberi nuk thotë kurrë “stop”. Mesfushori i majtë ka fituar gjithçka në karrierën e tij në nivel klubesh, por ka edhe një dëshirë të fundit, që praktikisht e “mban gjallë”. Francezi do të shpallet edhe një herë kampion Evrope me Bajernin. “Dua ta fitoj edhe një herë Ligën e Kampionëve. Kjo është ëndrra ime, ajo që motivon”, – është shprehur 34-vjeçari në një intervistë të fundit.

“Kontrata? Jo, ende nuk kemi folur, kemi kohë. Nëse do të ishte në dorën time do ta mbyllja karrierën këtu, por nuk e marr vetëm unë këtë vendim. Edhe klubi ka fjalën e vet. Natyrisht, dua të qëndroj, por kam në kokë edhe mundësinë për të luajtur diku tjetër. Mendoj se mund të luaj edhe 2-3 vite si profesionist”, – ka shtuar Riberi.

I pyetur për marrëdhënien e tij me trajnerin Karlo Ançeloti, francezi ka thënë: “Kemi një raport pozitiv, shkojmë shumë mirë dhe kuptohemi. Nuk kam nevojë për një trajner që më thotë se jam më i miri. E di vetë kur luaj keq. Kur Karloja do të më lërë në stol, mund të vijë dhe ma thotë pa asnjë problem”.

Në fund, edhe një pyetje për merkaton e verës. Duke shtuar edhe holandezin Arjen Roben, Bajerni ka dy veteranë në krahët e sulmit dhe nuk ka blerë pasues për ta. Riberi mendon se drejtuesit kanë vepruar drejt. “Nëse trajneri ka ndjesinë se unë dhe Arjeni jemi akoma të rëndësishëm, pse të blesh lojtarë të tjerë?” – ka përfunduar Riberi.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here