Ribashkohen Orges Shehi dhe Peter Olainka, në pozita të tjera dhe vetëm për shtatë ditë

Orges Shehi është duke kryer një stazh 1 javor në Çeki, ku përgjatë kësaj kohe do të ndjekë nga afër seancat stërvitore të ekipit kampion në kampionatin çek, Slavias së Pragës. Por në këtë eksperiencë të re që do i vlejë në formimin e tij si trajner, ish-portieri i Skënderbeut ka gjetur edhe Peter Olainkën, me  të cilin ka qenë shok skuadre në periudhën kur të dy luanin për klubin korçar.

“Sporti sipas Bakut” ka shpërndarë një foto ekskluzive, ku shihen Orges Shehi dhe sulmuesi nigerian Olainka së bashku. Dyshja ritakohet kështu edhe njëherë por në kushte disi më ndryshe, pasi ish-futbollisti shqiptar ka hequr dorë nga futbolli i luajtur dhe tashmë ndjek rrugën e trajnimit, arsye për të cilën ndodhet në Pragë. Ndërsa Olainka tashmë luan për ekipin e Slavias së Pragës në nivele të larta, duke marrë pjesë edhe në Ligën e Kampionëve, gjë të cilën e kërkuan të dy së bashku në kohë kur ishin pjesë e Skënderbeut./Sport Ekspres/